Vazhdojnë kritikat e VV-së ndaj BE-së: Borell dhe Lajçak janë vendosur në anën e Serbisë - NACIONALE

Vazhdojnë kritikat e VV-së ndaj BE-së: Borell dhe Lajçak janë vendosur në anën e Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e lartë të VV-së kanë vazhduar kritikat e ashpra ndaj BE-së edhe gjatë ditës se takimit të nëntë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksander Vuçiq.

Deputetët e partisë më të madhe në vend nuk i kanë kursyer as fjalët më të rënda ndaj përfaqësuesve të lartë të BE-së, të cilët po merren me dialogun Kosovë-Serbi.

Ata kanë vlerësuar se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell dhe emisarit special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, janë pozicionuar në mënyrë të hapur në anën e Serbisë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ka kritikuar shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borell, për pritjet që sot iu ka bërë mysafirëve.

Batusha ka thënë se Borell nuk po tregohet i drejtë në trajtimin e Kosovës.

Ai ka publikuar një fotografi nga pritja që Borell i ka bërë Vuçiqit, duke thënë se Borell e ka pritur atë në hyrje të ndërtesës, ndërsa Kurtin nuk e ka pritur njëjtë.

Borrell e paska pritur Vuçiqin në hyrje të ndërtesës, por jo edhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Edhe një trajtim asimetrik krejt i panevojshëm nga ndërmjetësi.”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe më i ashpër ndaj BE-së ka qenë avokati Tomë Gashi, i cili njihet si mbështetës i madh i partisë në pushtet.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar Borell dhe Lajçak po e luajnë rolin e zëdhënësit të Serbisë.

Borell & Llajqak sikur të jenë zëdhënes të Serbisë. Me ta nuk munde te arrihet asnjë marrëveshje e drejtë”, ka shkruar Gashi.

Një ditë më parë, gjuhë të ngjashme ndaj BE-së ka përdorur edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Politik të Jashtme.

Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ajo ka thënë se BE-ja është pozicionuar në anën e Serbisë.

Sipas saj, edhe masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta.

Vendosja e padrejtë e masave është veprimi më i gabueshëm që ndërmjetësuesit e procesit e kanë bërë. Kjo duke konfirmuar se në vazhdimësi ka pasur qasje të pabarabartë ndaj Kosovës. Uroj që të hiqen masat dhe këtë e kemi diskutuar edhe me përfaqësues të ndryshëm të politikës evropiane. Nëse këtu kemi palë të interesuara qe të ecin përpara, Serbinë, Lajçakun e Borellin, tri palë të orientuara në një anë, e Kosova e vetme, ndërsa këta do të duhej të ishin palë ndërmjetësuese”, ka deklaruar Kryeziu.

Deputetja e VV-së ka vlerësuar se BE-ja po shtron kërkesa vetëm ndaj Kosovës.

Ajo ka kërkuar nga BE-ja që t`i teriqet vërejtja edhe Serbisë.

Neve na thuhet që të dorëhiqen, por ne s’jemi Beogradi që t’iu kërkojmë atyre dorëheqjen. Ne nuk japim urdhra për dorëheqje, ata janë zgjedhur me votë në një proces demokratik. Ata që u dorëhoqën në momentet e fundit kanë qenë të urdhëruar të dorëhiqen”, është shprehur Kryeziu-Hyseni.

Kurti dhe Borell ende nuk kanë folur

Takimi në Bruksel, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Ndonëse takimi ka përfunduar që disa orë, kryeministri Albin Kurt dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ende nuk janë deklaruar për takimin.

I vetmi që është deklaruar për media pas takimit është presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ai e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës për mungesë të rezultateve nga ky takim.

"Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar", u tha Vuçiq, raporton REL.

Tutje, Vuçiq, para medieve, e ka akuzuar Kurtin, i cili, sipas tij, po i shmanget formimit të Asociacionit.

"Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj.", është shprehur ai.

Lajme të ngjashme