Vazhdimi i dialogut dhe dinari: Escobar këtë javë në Prishtinë
Emisari i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë këtë javë Kosovën.
Ai pritet të takohet me përfaqësues të qeverisë për të diskutuar për vazhdimin e dialogut, por gjithashtu edhe për rregulloren e BQK-së e cila ka nxitur reagime të shumta.
Lajmi është konfirmuar nëpërmjet një komunikate nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special në Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar po udhëton në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi 10-18 mars 2024. Vizita e tij do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Perëndimit Ballkani ndërsa ata ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”, thuhet në njoftim, raporton Nacionale.
Në Belgjikë, Escobar pritet të takohet edhe me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Ndërsa në Belgjikë, Përfaqësuesi Special Escobar do të takohet me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për të diskutuar përpjekjet për të çuar përpara reformat që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Nuk kishin si të mungojnë edhe planet për diskutime rreth dinarit.
“Përfaqësuesi Special do të zhvillojë takime për ndikimin e rregulloreve të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe hapat urgjent për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, bëhet e ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.
“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, kishte thënë Escobar.
Reagimet amerikane për dinarin
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte kritikuar ashpër Qeverinë në lidhje me vendimin i cili ndalon qarkullimin e dinarit serb.
“Ne do të shpresonim që Qeveria dhe kryeministri Kurti do të angazhohen si partner që ta zgjidhim këtë çështje së bashku, në vend se të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe në të kundërtën e asaj që kemi kërkuar. Jemi të shqetësuar që Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk e kanë bërë këtë. Çfarëdolloj deklarimi se gjërat janë në rregull dhe se marrëdhëniet tona vazhdojnë, nuk janë të vërteta. Jemi të brengosur”, tha Hovenier.
“Nuk duam të jemi në këtë rrethanë. SHBA-të përkushtohen për popullin e Kosovës dhe të shtunën do të festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Gjithsesi se do të jem i pranishëm për të festuar atë që kemi arritur se bashku. Por, kjo nënvizon prapë atë se sa problematik është ky moment. Qeveria nuk duket se po punon në partneritet me ne”, ka thënë Hovenier.
Ai ka shtuar se SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Një nga zyrtarët më të lartë amerikan, James O’Brien e bëri të qartë dhe mesazhi im është i qartë – SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Shqetësimet i kemi thënë në publik dhe privat”, ka deklaruar ambasadori amerikan.