“Vasalë; turp”: Politikanët shqiptarë në Maqedoni e fajësojnë njëri-tjetrin për incidentin e Osmanit
Dje u njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u pengua gjatë udhëtimit në Aeroportin e Shkupit, gjë e cila ngjalli shumë reagime. Në pjesën e politikës shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ky incident ka shkaktuar polemika të mëdha në mes pushtetit dhe opozitës. Madje, ata nuk kanë zgjedhur fortë termet për të diskutuar mbi këtë temë.
Në vallen e shumë reagimeve hyri edhe vetë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Opozitari Ahmeti dha se i vjen shumë keq për ngjarjen dhe se ky është një skandal i papranueshëm diplomatik. Pasi përfundoi me keqardhjen, Ahmeti e kritikoi ashpër pushtetin aktual shqiptar, VLEN-in.
“Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që ti falin për arsye se nuk dijnë se ç’bëjnë.
Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiqin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me rradhë” – ka shkruar Ahmeti.
Një reagim ndaj BDI-së erdhi prej Izet Mexhitit, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që vjen nga koalicioni VLEN. Pasi sqaroi situatën me Osmanin, Mexhiti e quajti për keqardhje “mungesën e kulturës politike” të BDI-së.
“Si zëvendëskryeministër i parë dhe si Kryetar i Lëvizjes Demokratike, shpreh keqardhje për mungesën e kulturës politike të cilën vazhdon ta demonstrojë BDI-ja që nga momenti i humbjes së zgjedhjeve dhe kalimit në opozitë.
Nga një parti politike që për më shumë se 20 vjet ka gëzuar privilegjet e pushtetit pa ndërprerje, më së paku është pritur kjo formë e arrogancës çfarë po demonstrojnë ata për çdo ditë. Më vjen sinqerisht keq dhe turp kur e shoh se si janë katandisur!” – ka shkruar Mexhit në Facebook.
Ndaj BDI-së reagoi edhe Arben Taravari, një nga udhëheqësit e VLEN-it. Taravari i bëri thirrje BDI-së që të ndalojë përhapjen e manipulimeve.
“Si VLEN, shprehim shqetësimin tonë se si një parti politike në Maqedoninë e Veriut, konkretisht BDI, po përdor gënjeshtra dhe manipulime në përpjekje për të dëmtuar vetëm VLEN-in, pa u shqetësuar për pasojat që mund t'i sjellë Kosovës. Ne i bëjmë thirrje opinionit që të ndjekë faktet dhe jo propagandën e BDI-së.
Edhe një herë i bëjmë thirrje BDI-së të ndalojë përhapjen e manipulimeve dhe të ndalojë dëmtimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa opinionin e ftojmë të mos bie pre e propagandës së BDI-së” – ka shkruar Taravari.
Ndërsa Aleanca për Shqiptarët, një parti opozitare sikurse BDI-ja e Ahmetit, i quajti anëtarët e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga radhët e VLEN-it si “vazal”.
“Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës.
Për ne ky rast nuk është një incident i thjeshtë, por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri tek personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast” – shkroi partia opozitare, Aleanca për Shqiptarët.