VV-ja s’guxon ta formojë Komisionin Hetimor për Menaxhim të Krizës Energjetike, voton kundër
‘Joystick-u’ larg kabllos për mbushje e batanija ngjitur për trupin e kryeministrit, s’po na ndihmojnë ta kalojmë krizën energjetike. VV-ja ka guxim ta mbajë frerin e shtetit, por jo ta formojë komisionin parlamentar për të hetuar menaxhimin e krizës energjetike.
Ky komision parlamentar erdhi në shprehje pasi qeveria tashmë ka shpenzuar 200 milionë euro për krizë energjetike, përkundër që qytetari mesatar po e paguan faturën me çmim të shtrenjtuar.
Partia pushtetare po fajësohet nga opozita, por VV-ja s’e ka në plan të marrë përgjegjësi për rritjen e çmimeve të rrymës, e as për mos formimin e komisionit parlamentar hetues.
Grupet Parlamentare ishin marrë vesh ta votojnë këtë komision, megjithatë nga kjo marrëveshje e parespektuar, e zhgënjyer po shprehet opozita.
Për marrëveshjen e shkelur VV-ja thotë se në fakt grupet parlamentare ishin marrë vesh ndryshe.
Shefja e VV-së në Kuvend, Mimoza Kusari Lila, tha se kishte dakordim për votim, megjithatë ujdia ishte që në votim të shkohet pa debat.
Madje ajo me hatërmbetje kritikoi opozitën pse tha për Qeverinë Kurti se i ka humbur investimet nga MCC.
Po ta dëgjosh Kusari Lilën, krijohet përshtypja se njëmend Kurti NUK e ka refuzuar gazin amerikan.
“Dakordimi mes grupeve parlamentare ishte që ky propozim të shkojë pa debat dhe pa paragjykime. Prapë u fillua me diskutime dhe paragjykime. Sot sërish u fol që Qeveria Kurti ka humbur investimet nga MCC”, tha Kusari Lila pas seancës.
PDK-ja, që e inicioi këtë grup parlamentar, tha se kjo iniciativë nuk është e fundit.
Shefi i PDK-në Kuvend, Abelard Tahiri, tha se ideja ishte të bëhej me koordinim me pushtetin, se ekzistojnë edhe forma të tjera.
“Kjo çështje nuk do të mbyllet sot këtu. Ne kemi edhe mundësi tjera parlamentare ta procedojmë tutje me 40 nënshkrime, pa pasë nevojë të vihet në Kuvend, por kemi pasur dëshirë ta kemi një koordinim”, tha Tahiri, duke shtuar se PDK-ja nuk do të vazhdojë të qëndrojë në seancë.
Ndërsa Shefi i LDK-së në Kuvend, Arben Gashi, refuzimin e VV-së e cilësoi si koritje duke premtuar se komisioni do të krijohet në rrugë tjera.
“Çka po doni me fsheh?”, pyeti Gashi, duke i thënë deputetëve që votuan kundër se “veç jeni koritë”, ndërsa paralajmëroi krijimin e këtij komisioni në një rrugë tjetër.
Nga AAK-ja, Besnik Tahiri pyeti “pse të mos e zbardhim të vërtetën?”
Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ishte pika 13 e rendit të ditës.
Për krijimin e komisionit votuan 23 deputetë, 50 votuan kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.