“Uzbuna”: Serbët lëshojnë sirenat në veri, bllokojnë hyrjen e komunës në Zveçan - NACIONALE

“Uzbuna”: Serbët lëshojnë sirenat në veri, bllokojnë hyrjen e komunës në Zveçan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Portali lokal nga Mitrovica ka botuar një video në të cilën dëgjohet sirena në veri të Mitrovicës. Për këtë çështje ka raportuar edhe Radio Evropa e Lirë në gjuhën shqipe, e cila ka shkruar se janë parë grumbuj qytetarësh në Zveçan dhe Zubin Potok para objekteve të këtyre komunave. E gjitha erdhi pas kërcënimeve të përsëritura nga Serbia për trazira në veri.

“Sirena alarmi u dëgjuan në Mitrovicë të Veriut, mesditën e së premtes, ndërkohë që qytetarët u mblodhën para objekteve komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.” shkruan REL.

Tutje, ky medium ka raportuar se para ndërtesës së komunë së Zveçanit është parë edhe makina e Policisë së Kosovës, e cila nuk ka dhënë ende ndonjë informacion për këtë çështje. Për më shumë, Milija Bishevac, ish-këshilltar në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, ka folur për REL, duke thënë se Izmir Zeqiri, kryetar i kësaj komune, ka tentuar të hyjë në objekt.

“Ka makina, ku besohet se gjendet ai [kryetari i qytetit] dhe se ai po përpiqet të hyjë në ndërtesën e komunës”, tha Bishevac për REL, raporton Nacionale.

Në Zveçan, siç raporton gazetar serbe e Kosovës "Kosovoonline", qytetarë i kanë bllokuar hyrje-daljet e objektit të komunës, ndërsa aty shihen forca të shtuara të Policisë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX.

Kujtojmë që kyetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që janë me përkatësi shqiptare, e kanë dhënë betimin dje, pra më 25 maj, duke e marrë pushtetin lokal ku shumicë janë serbët.

Përditësim:

Ora 12:49:

Tashmë ka ardhur deklarata e parë nga Izmir Zeqiri, për të cilën u tha se ka tentuar të hyjë në objektin e komunës së Zubin Potokot. Në një prononcim për mediumin "Albanian Post", z. Zeqiri, që është kryetar i zgjedhur i Zubin Potokot, ka theksuar se është në objektin e komunës. I pyetur nëse ka hyrë në objektin e komunës, kjo ishte përgjigja e Zeqirit për Albanian Post:

“Unë në komunë jam, nuk mund të flas më shumë.”

Lajme të ngjashme