Ushtria si dëshirë vs. Ushtria si domosdoshmëri - NACIONALE

Ushtria si dëshirë vs. Ushtria si domosdoshmëri

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruar nga: Shpend Ahmeti

“Në qoftë se dëshiron paqe - përgatitu për luftë” - kishte thënë Gjenerali Romak Vegetius në Librin Epitoma Rei Militaris. Para rënies së Perandorisë Vegetius kishte thënë që ushtria ishte dobësuar në kohë paqeje dhe kishin filluar të mos i veshin teshat. Edhe sot kjo doktrinë njihet si baza e strategjisë “Paqja përmes fuqisë”. Pra, ushtria krijohet për paqe e jo për luftë.

Siguria konsiderohet si e mirë publike klasike (public good). I ka dy karakteristika që janë tipare të shërbimeve publike.

  1. Shërbimi nuk mund të bëhet vetëm për ata që paguajnë - pra të gjithë e paguajnë dhe të gjithë e shfrytëzojnë dhe
  2. Fakti që njëri e shfrytëzon nuk e shpenzon për tjetrin.

Pra ne të gjithë e paguajmë sigurinë dhe të gjithe e shfrytëzojmë, pra obligim kemi të gjithë, sepse e shfrytëzojmë të gjithë.

Javëve të fundit është diskutuar shumë mbi fondin e sigurisë që e ka nisur qeveria e Kosovës si pasojë e aktualizimit të çështjeve të sigurisë pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën. Skenarët mbi sulmin e mundshëm të Serbisë mbi Kosovën u shfaqën në çdo institucion e debat. Kjo hapi derë për qeverinë që të fliste për nevojën e armatosjes dhe forcimit të ushtrisë së Kosovës për t’u mbrojtur. Qeveria krijoi fondin e sigurisë për donacione vullnetare nga qytetarët dhe bizneset për ta financuar ushtrinë.

Kjo strategji edhe pse qëllim-mirë dhe mund të forcojë ndjenja patriotike dhe atdhedashurie, nuk mund të jetë strategji as e vetme e as e efektshme.

Në çdo politikë duhen të diskutohen qëllimet dhe mjetet që i kemi në disponim. Në qoftë se qëllimi është mbrojtja nga Serbia, atëherë çfarë sinjali i japim sulmuesit potencial - s’kemi mundësi e po presim vullnetarizëm? Çfarë mesazhi i dërgojmë aleatëve tonë, etj. etj..

Fonde vullnetare mund të ketë në kohë luftë (esenciale për UÇK-në në 1999) por jo në kohë paqe me shtet të pavarur. Edhe në 1999 vullnetarizmi ka mjaftuar për luftë guerile por jo luftë të plotë në mes të dy forcave.

Izraeli në vitin 1948 kishte krijuar Ushtrinë Izraelite si vendimin e parë të shtetit të porsakrijuar disa ditë më herët. Menjëherë kishte hyrë në luftë me disa shtete. Grupe ushtarësh të fiseve të ndryshme me përvojë nga lufta më të vogla, vullnetarë nga diaspora u mobilizuan. Çuditërisht Izraeli korri disa fitore. Lufta financohej nga taksat, donacionet dhe ndihmat nga aleatët. Sot ushtria Izraelite njihet si një nga ushtritë më të mira në botë me shpenzime marramendëse për kokë banori. Por arsyetimin e ka tek rrethimi nga shtetet armiqësore.

Të kthehemi te qëllimi i politikave tona në këtë kohë pasigurie.

Kosova ka nevojë për ushtri - siguri. Këtë e them edhe unë si pacifist që e konsideroj veten. Përveç argumenteve të përdorura nga çdo shtet, Kosova ka një rrezik të përhershëm nga Serbia dhe rrezik të provokimeve dhe pasigurisë së brendshme. Pra, në këtë rast ne po flasim për një rrezik konkret për të cilin mendojmë se nuk jemi të mbrojtur dhe ka nevojë për angazhim shtesë.

Këtu dallojmë nga shtetet e tjera që bëjnë gara në blerje të armatimit. Gara me shpenzime për blerje të armatimit në një garë me Serbinë është e humbur në fillim. Starti i hershëm i Serbisë bashkë me trashëgiminë nga Jugosllavia si dhe ndihma e aleatëve lindorë të Serbisë e bëjnë atë me një avantazh të pamatshëm në shuma dhe stoqe.

Edhe sot ne duhet të ndjekim strategjinë e shteteve në situata të ngjashme. Kosova duhet të punojë në forcimin dhe fuqizimin e pjesëve të ushtrisë që e bëjnë të lartë koston e luftës për Serbinë në periudhë afatshkurtër. Këtu është kyçe kostoja politike për qeverinë në Serbi. Rusia është ushtri shumë herë më e fuqishme se Ukraina, por kostoja politike dhe financiare për Putinin shtohet disa herë çdo ditë që lufta vazhdon atje.

Kështu Finlanda e zmbraps Rusinë nga agresioni. Kështu Mali i Zi e kishte fituar pavarësinë nga Serbia. Serbia kishte ushtri shumë më të fortë, por Nikoliq e dinte se kostoja politike e humbjes së 100 ushtarëve pas krejt atyre luftërave ishte shumë e madhe. Dhe këtë Mali i Zi ia tregonte përditë.

Në vitin 2019 në një vizitë në Izrael bashkë me 25 kryetarë nga e gjithë bota u takuam me zv. Ministren e Punëve të Jashtme të Izraelit dhe me gazetarë ushtarakë për të diskkutuar gjendjen në Siri. Në pyetjen se a mund të ndodhë një konflikt mes Izraelit dhe Rusisë dhe si do të kalonte Izraeli në atë konflikt, ministrja tha “ne komunikojmë me Rusinë për çdo sulm tonin. I lajmërojmë 10 minuta para çdo rakete. Në rast konflikti në periudhën afatgjatë, Rusia do të na mposhtë, por 6 muajt e parë do t'u shkaktojmë humbje masive dhe për ta bërë luftën e Rusisë të paqëndrueshme politikisht.”

Kjo duhet të jetë strategjia dhe plani i Kosovës. Përfshirë edhe hapat më poshtë:

  1. Aleancat - Kosova qëllim primar dhe gati të vetëm duhet ta ketë anëtarësimin në Nato. Sot ne jemi të mbrojtur nga Nato por me një marrëveshje ushtarake të Natos dhe Serbisë. Kjo nuk garanton siguri afatgjatë. Prandaj, Kosova duhet të punojë maksimalisht në anëtarësim. Kjo do të na siguronte mbrojtjen me artikullin 5 kur sulmi ndaj një shteti të Natos konsiderohet sulm mbi krejt shtetet.
  2. Aleancat bilaterale - në rast të problemeve politike me anëtarësim, Kosova duhet të punojë në aleanca konkrete me shtetet mike që garantojnë mbrojtje - SHBA, Britania, Gjermania e Turqia, mund të jenë vetëm disa nga shtetet.
  3. Kosova duhet të punojë paralelisht në forcimin e ushtrisë së vet, në rast të dështimit të dy opsioneve më lart. Siç e ceka më lart qëllimi i Kosovës nuk duhet të jetë tek shtyrja me numër të migave. Por duhet të jetë e forcuar në mbrojtje e goditje afatshkurtëra që rrisin koston politike të luftës.
  4. Kjo kërkon planifikim dhe strategji dhe tek pastaj financim. Kjo nuk është - hajt te këqyrim sa pare p'i mbledhim, e mandej po blejmë sa tenka të na vijnë për ato para. Kjo kërkon plan, kosto të planit dhe plan të financimit.

Ky hendek pastaj mund të financohet nga burime të ndryshme.

Së pari nga buxheti por duke mos rrezikuar aktivitetet ekonomike e sociale.

Së dyti përmes taksës së ushtrisë ku çdo qytetar në marrëdhënie pune do të paguajë shumë mandatore për siguri. Çdo biznes do të paguante shumë pak më të madhe mujore. Siguria nuk është dëshirë e vullnetarizëm por domosdoshmëri e obligim.

Së treti duhet të ketë kërkesa konkrete për ndihmë ushtarake nga aleatët bazuar në planin e FSK-së.

Së katërti mund të kërkojmë donacione vullnetare.

Siguria nuk është çështje ad-hoc. Planet e mbrojtjes duhet të përfshijnë edhe mbrojtjen ekonomike (nga çmimet), edhe sigurinë energjetike edhe sigurinë sociale.

Kosova nuk është Izrael e as nuk është SHBA. Është shtet i vogël me probleme konkrete dhe akute. Strategjia duhet të jetë konkrete dhe akute. Deri atëherë planet ad-hoc do t'i vërshojnë rrjetet sociale sa herë ka luftëra si ajo në Ukrainë. Mandej harrohet.

P.S. Dëshira ime do të ishte që mos të ketë luftra e ushtri. Por, në këtë botë do të ishim si Hasa i vetmuar në autostradë, si e vetmja veturë që shkon në drejtim të kundërt.

*Ky opinion është shkruar ekskluzivisht për gazetën Nacionale

Lajme të ngjashme