“Ushtarët” e Albinit: Çka po bën VLEN-i, koalicioni i “bekuar” nga Kurti në Maqedoni të Veriut? - NACIONALE

“Ushtarët” e Albinit: Çka po bën VLEN-i, koalicioni i “bekuar” nga Kurti në Maqedoni të Veriut?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Javë më parë, opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut i erdhi në konak Albin Kurtit në zyrën e kryeministrit të Kosovës. Pas ndërmjetësimit (e ndoshta bekimit) të Kurtit, opozita u bashkua në VLEN dhe tahsmë ka nisur fushatën për zgjedhjet presidenciale në shtetin maqedonas. Çka po bën VLEN-i?

Koalicioni i “bekuar” nga ana e Kurtit, tashmë ka nisur fushatën, duke e kritikuar ashpër BDI-në e Ali Ahmetit. Përveç tubimeve, ky koalicion po vazhdon debatin e ashpër edhe në studio, por edhe në rrjete socale.

Në këtë të fundit, pra në rrjete sociale, Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit në Qeverinë e Kosovës, është ndoshta më i zëshmi. Ditë më parë, ai sulmoi mediet.

“Nëse keni dilema se çfarë ane të mbani, nëse nuk keni informacione të mjaftueshme, prej të cilave mund të ndërtoni një gjykim të shëndoshë, se kë duhet të mbështetni në skenën politike shqiptare në MV por edhe më gjerë, logjika më e thjeshtuar do të ishte të mbani anën e kundërt nga ajo që e mbajnë gazetat, lajmet, analistët, "intelektualët", portalet që kanë bashkëpunim dhe marrin financim nga Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Artan Grubi, Edi Rama, Aleksandar Vuçiq, Devollët. Kështu do të keni një ndërgjegje të pastër se veproni drejtë, njerëzisht dhe kombëtarisht.” – shkroi Qoku, i cili ishte kritikuar në lidhje me qëndrimet e tij ndaj BDI-së së Ali Ahmetit e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut, Talat Xhaferi.

Ndonëse fushata po shkon duke u nxehur, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokracia, po vazhdon të takohet me eksponentë të VV-së. Para disa javëve, Mexhiti erdhi në Kosovë, ku u takua me ministrin Xhelal Sveçla.

“Fryma e NDRYSHIMIT filloi në Kosovë, vazhdoi në Luginë dhe do të kurorëzohet në RMV!

NDRYSHIMI PO VJEN DHE IA VLEN!” – shkroi Mexhiti, i cili i lavdëroi dy eksponentët e VV-së, duke shkruar se janë “dy eksponentë të respektuar të Lëvizjes VETËVENDOSJE”.

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari, ka vazhduar me aktivitetin e tij politikë në garën për president të Maqedonisë së Veriut, pjesë e sëcilës garë është edhe Bujar Osmani i BDI-së. Taravari ka vazhduar të prezantojë aderimet në koalicionin VLEN.

Natyrisht, pjesë e këtij koalicioni janë edhe dy parti të tjera, Levizja Besa dhe Lëvizja Alternativa, të cilat kanë vazhduar aktivitetin e tyre politik.a

Përveç vizitave nga Shkupi në Prishtinë, kishte edhe vizita nga Prishtina në Shkup. Më saktë, Mefail Bajqinovci e Avni Dehari, dy deputetë të VV-së, ditë më parë ishin pjesë e një vizite në Shkup, ku u takuan, ndër të tjera, edhe me Taravarin.

“Së bashku me deputetin z.Avni Dehari në takim me mikun tim të vjetër me z. Arben Taravari, Kryetar i Komunës së Gostivarit, z. Bilall Kasami Kryetar i Komunës së Tetovës, z. Afrim Gashi deputet, z.Halil Snopçe deputet dhe Izet Mexhidi. I uruam suksese në kandidimin e z. Arben Taravari për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut.” – shkroi Bajqinovci.

Sjellim ndër mend që zgjedhjet për president në Maqedoni të Veriut do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare pritet të organizohen më 8 maj.

Lajme të ngjashme