“Unë dhe Vjosa”: Pamjaftueshmëria e LDK-së dhe zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku e Osmani sot mbajnë tubimin e parë - NACIONALE

“Unë dhe Vjosa”: Pamjaftueshmëria e LDK-së dhe zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku e Osmani sot mbajnë tubimin e parë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Nën udhëheqjen e tij Lidhja Demokratike e Kosovës dy herë rresht doli e treta.

Një ngritje të lehtë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, e pastaj kthim prapa në ato të 28 dhjetorit, e kristalizoi peshën elektorale të Lumir Abdixhikut.

Ky kristalizim i peshës së tij pati reperkusione edhe në Kuvendin e LDK-së, ku mori legjitimitet për të qëndruar drejtues i kësaj partie me një shumicë të thjeshtë e aspak dërrmuese.

Elektoralisht pakënaqshëm e në parti të vet me çdo të dytin delegat mosbesues ndaj drejtimit të tij, Abdixhiku tashmë ka negocuar dhe konkluaduar kthimin e Vjosa Osmanit si prijëse të listës zgjedhore të LDK-së.

“Unë dhe Vjosa,” ishte personalizimi që Abdixhiku përmes një videoje në Facebook bëri për referencë të përsëritur, ndërsa e quan “bashkimi i madh”, herë i të djathtëve, herë i LDK-së.

Sot katër javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, Vjosa Osmani dhe Lunir Abdixhiku i drejtohen publikut me këtë bashkim.

Osmani tha se kthimin e saj në LDK e ka peshuar si “kërkesë të popullit.”

Ish-Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u shkëput nga pushteti i Vetëvendosjes pas moskandidimit nga Albin Kurti i Vetëvendosjes, moskandidim i të cilës rezultoi në dështim të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Tash, Osmani është kthyer në, së paku në fushatë zgjedhore, kundërshtare të Vetëvendosjes dhe ka thumbuar në disa raste pushtetin për “përçarje e propagandë.”

Osmani ka grumbulluar rreth vetes ndjekës të vet, duke i marrë grupit parlamentar të Vetëvendosjes tre-a-katër ish-deputetë, si Haxhi Avdyli, Jeta Statovci, Albena Reshitaj e Burim Meta.

Ish-presidentja ka ndarë momente të takimeve të saj nëpër vend me votues potencial të saj, ku projekton të jetë duke marrë mbështetje të gjallërishme zgjedhore.

Në anën tjetër, në Këshillin e Përgithshëm të LDK-së, kishte figura kyçe e me nam të kësaj partie që munguan si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, të cilët kaherë kanë qenë vokalë kundër Osmanit.

Që të dy Osmanin e kanë parë për pesë vite thjesht-miratuese të pushtetit të Vetëvendosjes, deri në heqjen dorë të këtyre të fundit ndaj mbështetjes për të.

Abdixhiku dje në Këshill të Përgjithshëm tha se LDK po e bashkon “energjinë politike.”

“Po bashkohemi rreth LDK-së, po e bashkojmë energjinë tone politike, në një listë të përbashkët garuese. Këtë të martë në takimin e kryesisë qendrore dhe kryetarëve të degëve am shtruar propozimin për një listë bashkuese.

Me këtë propozim kam propozuar garim të përbashkët për president dhe kryeministër. Kam propozuar që LDK-së të garojë me Vjosa Osmanin si candidate për presidente të Republikës, dhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua, kryetarin e LDK-së, si kandidat për kryeministër”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të ngjashme