"U votua, s'u votua": A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës? - NACIONALE

"U votua, s'u votua": A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pushteti dhe opozita sërish janë përplasur rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se Kosova prapë nuk ka arritur të futet në agjendë të Komitetit të Ministrave për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim.

Ata kanë vlerësuar se kundër futjes në agjendë janë pozicionuar edhe aleatët e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka pas votim për këtë çështje.

Përmes një komunikate për media, ministria ka bërë me dije se nuk ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndonëse nuk ka treguar nëse është futur në agjendë shqyrtimi i aplikacionit të Kosovës, MPJD ka vlerësuar se procedura e anëtarësimit në këtë organizatë janë komplekse.

“Duke qenë se procedura e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është komplekse dhe për t’i sqaruar disa keqkuptime dhe keqinterpretime të bëra së fundi, e shohim të nëvojshme publikimin e kësaj komunikate. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit”, është thënë në komunikatë.

Ministria ka përmendur edhe mundësinë e kushtëzimit të Kosovës në këtë proces.

Sipas ministrisë, kushtëzimi i Kosovës në këtë proces do të ishte kundër vlerave të Këshillit të Evropës.

“Më saktësisht, në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës” është thënë në komunikatën e MPJD-së.

Opozita kërkon përgjegjësi nga Qeveria

Zyrtarët e pozitës kanë bërë me dije se mos shqyrtimi i serishëm i aplikimit të Kosovës për anëatresim flet për paaftësinë e qeverisë Kurti.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se kjo shpërfaq gjendjen e mjerueshme të diplomacisë.

“Mos shqyrtimi i sërishëm i aplikimit të Kosovës nga ana e Këshillit të Evropës shpërfaqë gjendjen e mjerueshme të diplomacisë sonë, dhe konfirmon që ky hap është ndërmarrë pa asnjë koordinim me aleatët tanë. Këso lloj aventurash janë të rrezikshme dhe shkaktojnë dëme. As nuk dinë, as nuk munden, as nuk pyesin’, ka shkruar Çitaku.

E para që ka reaguar ndaj kësaj çështje ka qenë anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo tregon se veprimi për të aplikuar për anëtarësim në KE ka qenë i pakoordinuar me aleatët.

“Kosova paguan çmimin e moskoordinimit. Dështimi i shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për antarësim në Këshillin e Evropës dëshmon se sa e ç'orientuar është diplomacia e Kosovës aktualisht. Katër shtete njohëse e aleate të Kosovës: Italia, Franca, Gjermania dhe Britania kanë votuar kundër. Dëshmi e pastër që aplikimi nga Kosova ka qenë vendim i pakoordinuar me shtetet mike”, ka shkruar Lushaku.

Kurse, Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kërkuar shkarkimin e kryediplomatës Donika Gërvalla.

“Rrëzohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE ( Italia, Franca, Gjermania dhe Britania janë shprehur kundër futjës së Kosovës në agjendë). Mosvotimi i sotëm për të futur Kosovën në agjendë e vërteton atë që kemi dyshuar që nga fillimi: se procesi i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk ka qenë i koordinuar me partnerë strategjikë të Kosovës. Kjo Qeveri e ka përmbysur parimin e etabluar në politikën e Jashtme që Kosova nuk aplikon në asnjë organizatë pa koordinim me partnerë ndërkombëtarë dhe pa qenë të bindur se kërkesa mund të kalojë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, ky është një mesazh se ky proces është i ndërlidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Mosvotimi i sotëm është një goditje e rëndë për përpjekjet disavjeçare për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Kosova është shumë fragjile për të provuar eksperimente, të cilat që nga fillimi janë të projektuara për të dështuar! Ky është edhe një mesazh për kryeministrin Kurti: se çdo proces për avancimin e Kosovës në agjendën euroatlantike ndërlidhet me sukses në dialogun Kosovë – Serbi”, ka shkruar ai.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës rreth aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Ajo kishte thënë se aplikimi ka qenë një veprim i gabueshëm i Kosovës dhe i pakoordinuar.

Ministria e Punëve të Jashtme i kishte mohuar këto pretendime, duke thënë se aplikimi është bërë në koordinim me aleatët.

Më 12 maj të viti të kaluar, Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e kishte dorëzuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Lajme të ngjashme