U shkarkua nga puna, diplomati e krahason Kurtin e Gërvallën me pushtetin e Milosheviqit - NACIONALE

U shkarkua nga puna, diplomati e krahason Kurtin e Gërvallën me pushtetin e Milosheviqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Petrit Hajdari, diplomat i Kosovës, ka bërë një reagim në profilin e tij në Facebook, ku ka treguar se është shkarkuar nga puna si “Zyrtar i Lartë për marrëdhënie shumëpalëshe në Departmentin për Evropë, BE dhe Rajon” të MPJD-së.

Ai ka thënë se në MPJD ka shërbyer për 15 vite.

“Karriera ime 15 vjeçare nuk është aty për t'u përbuzur, por për të shërbyer. Kam pasur nderin e jetës që të shërbej si diplomat me gradën konsull në mandatin themelues të misionit konsullor të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë të Sllovenisë. Me nota të shkëlqyeshme të performancës, me punë e kontribut të palodhshëm, jam përpjekur t'i shërbej komunitetit dhe vendit e ta bëj punën time ashtuqë të isha aset e jo barrë për vendin tim.” – shkroi ai.

Në shkrimin e tij, z. Hajdari ka shkruar se largimi nga puna është një goditje befasuese. Madje, ai ka thënë se shkarkimet nga MPJD janë të prirura nga fushata të egra njollosjeje, metoda të cilat, sipas tij, janë përdorur edhe gjatë viteve 90-ta, kohë kur Kosovën e sundonte regjimi i diktatorit serb, Sllobodan Milosheviq.

“Duke qenë diplomat i karrierës dhe jo i emëruar politikisht, kjo është një goditje befasuese. Ose, më saktësisht, do të ishte befasuese kudo tjetër përpos në Qeverinë e Donika Gërvallës Schwarz e Albin Kurtit. Këto shkarkime, të paraprira nga fushata të egra njollosjeje, janë metoda të përdorura nga një pushtet, fatkeqësisht mjaft i freskët në mendjen e shqiptarëve: ai i represionit të viteve 90.” – shkroi ai.

Lajme të ngjashme