U shkarkua apo dha dorëheqje Driton Tali si këshilltar i Glauk Konjufcës?
Që nga 2 marsi, Glauk Konjufca e ka një këshilltar më pak në kabinetin e tij si Kryetar i Kuvendit.
Kjo pasi Driton Tali, ish-këshilltar politik për ekonomi, nëpërmjet një njoftimi kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë me arsyen se po e bënte një gjë të tillë “për arsye personale” por pa specifikuar diçka më shumë.
Gazeta Nacionale nga burimet brenda kabinetit merr vesh se Tali kishte kohë që ishte vënë në ‘’shënjestër’’ për shkarkim.
Ani pse kjo mohohet nga zyra e Kabinetit të Konjufcës, shefi i Kabinetit thotë se ishte dakordim i përbashkët me Driton Talin që ai të mos e ushtronte më detyrën e tij.
‘’Ka qenë dakordim i përbashkët, Tali ka pasë diçka punë me u kthy në Londër dhe neve nuk ka konvenojke me punu nga atje ai. Edhe në përshkrim e ka të shkruar që të lirohet nga detyra’’, tha shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit Konjufca, Ilir Kërçeli, për gazetën.
Ndërsa, ish-këshilltari Driton Tali gjithçka që i tha gazetës rreth kësaj, ishte ‘’Shikone postimin tim në Facebook’’.
Por, a ia pa sherrin bash Facebook-ut z. Tali?!
Driton Tali ishte një ndër mbështetësit kryesorë të Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe gjithë frymës së ndryshimit në Facebook.
Tali në disa raste madje edhe e kishte mbyllur llogarinë e tij në Facebook pas deklaratave që shkaktonin bujë të madhe mediatike.
Ai madje, si zyrtar i lartë shtetëror, nuk ngurronte të sulmonte ashpër kundërshtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pushtetit të ri.

Por, në të njëjtën kohë vërehen edhe mospajtime të ndryshme me këtë pushtet.
Kjo vërehet në veçanti për temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Driton Tali kishte deklaruar se Asociacioni është zgjidhje e mirë, jo ideale përkundër që Albin Kurti e Glauk Konjufca janë shprehur me fanatizëm kundër tij.
Përveç kësaj deklarate, Tali kishte shkruar mendime nga më interesantet.
‘’I votojnë, bëjnë fushatë për ata dhe tashti kishe po befasohem me sjelljet e tyre?!!! Sikur të ishte Kosova e madhe sa Kina pata me ju besu.’’
‘’Valla llaf ka lon i ndjeri Adnan Mustafa: “Kosova asht vend ku gjeniu duhet me dishmue para idiotit që asht njeri normal”.’’
Ish këshilltari, Driton Tali, nuk kishte hezituar të komentonte edhe një deklaratë të deputetes së LDK-së, Rrezarta Krasniqi e cila kishte thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk duhet të jetë kusht për dialogun me Serbinë.
“A e keni pyet shokun Isë - Kryetarin e Nderit? Mos u ngutni me deklarata pa e pyet bosin, se nuk dihet çka thotë ai. Ai herë e lavdëron Zajednicën e herë i bie pishmanit. Prandaj, mos nxitoni se s'i dihet atij!”, kishte shkruar Tali.
Aktualisht në kabinetin e kryeparlamentarit Konjufca punojnë Ilir Kërçeli - shef i kabinetit, Arbenita Mjekiqi - këshilltare për integrime evropiane, Reshat Nurboja - këshilltar politik, Feim Tahirsylaj - këshilltar për media, Liridona Gashi - këshilltare politike si dhe Donik Sallova - këshilltar politik i jashtëm. Pjesë e kabinetit besohet të jetë edhe ish-hoxha Drilon Gashi.