U helmuan rreth 200 persona: Çka thuhet në kërkesën për paraburgim ndaj pronarit të lokalit në Malishevë?
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Gjykata Themelore dje ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj K.SH i cili është pronar i lokalit ku dyshohet se u helmuan mbi 200 persona në Malishevë.
Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i pandehuri K.SH në lokalin e tij ka prodhuar dhe vënë në qarkullim artikuj për të cilët e ka ditur se janë të dëmshëm. Sipas kërkesës këta artikuj janë konsumuar nga mbi 100 persona të cilët më pas janë helmuar.
“Nga data e pavërtetuar e deri me datën 13.10.2023, i pandehuri në lokalin fast food/piceria “Apetiti”, në Rr.”Abdyl Krasniqi” në Malishevë-pronë e tij, prodhon dhe vë në qarkullim artikuj ushqimorë të cilët e di se janë të dëmshëm për shëndetin e njerëzve, në atë mënyrë që vë në qarkullim artikuj ushqimor të mishit dhe produkteve të tij, soseve si dhe artikujve të tjerë, të cilat janë konsumuar nga mbi 100 të dëmtuar dhe si rezultat i këtij konsumi të njëjtit janë helmuar për çka edhe kërkojnë ndihmë mjekësore në Q.K.M.F në Malishevë, në Spitalin Rajonal “Daut Mustafa” në Prizren si dhe në Q.K.U.K në Prishtinë dhe si rezultat i këtij helmimi kanë pësuar dëmtime të rënda për shëndetin”, thuhet në kërkesën e PTHGJ-së.
Andaj me anë të këtij arsyetimi, prokurori Qazim Xharra ka propozuar që gjyqtari i procedurës paraprake të caktojë masën e paraburgimit ndaj K.SH me kohëzgjatje prej një muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arsyetimin e kësaj kërkese thuhet se prokurori ka konsideruar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit nga se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Sipas këtij dokumenti, kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit është bazuar edhe në deklaratat e dëshmitarëve, deklaratën e të pandehurve e po ashtu edhe nga procesverbalet e inspektoreve sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës etj.