U bë deputeti i parë i përjashtuar: Pse askush prej VV-së nuk e mbrojti deputetin Abazi? - NACIONALE

U bë deputeti i parë i përjashtuar: Pse askush prej VV-së nuk e mbrojti deputetin Abazi?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Askush prej partisë më të madhe në vend nuk i ka dalë në mbrojte deputetit Haki Abazi, të cilin e ka përjashtuar partia.

Ndonëse të enjten ai është bërë deputeti i parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovës që është përjashtuar nga një grup parlamentar, asnjë deputet apo zyrtar i VV-së nuk ka reaguar.

Të gjithë e kanë respektuar vendimin e partisë. Edhe shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar se vendimi për përjashtimin e Abazit është marrë në mënyrë unanime në grup parlamentar.

Madje, disa ish-kolegë të tij partiak janë shprehur edhe kritikë ndaj Abazit.

Ata kanë drejtuar kritika të ndryshme ndaj tij, duke thënë se ka qenë jobashkëpunues.

Një ditë pasi Abazi është përjashtuar nga grupi parlamentar i partisë në pushtet, deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, ka thënë se Abazi nuk ka qenë koleg i mirë.

Në emisionin “Debat Plus”, ajo ka thënë se askush prej kolegëve nuk e ka lavdëruar deputetin Abazi.

“Sa i përket deputetit Haki Abazi, prej momentit kur ka filluar ky mandat nuk ka gjetur rahati. Sepse është egoja e tij, është person jo bashkëpunues, unë tani në Kosovë nuk kam takuar asnjë person me të cilët edhe ka punuar edhe ka bashkëpunuar, sidomos me organizatat joqeveritare, të cilat e lavdërojnë ose flasin për të se është bashkëpunues”, ka thënë Pacolli.

Madje, sipas saj, këtë qasje deputeti Avaz e ka pasur prej fillimit.

“Nuk ka qenë bashkëpunues prej fillimit. Nuk po themi se është bërë i keq”, është shprehur ajo.

Asnjë fjalë të mirë për deputetin Abazi nuk ka pasur as deputeti i VV-së, Besim Muzaqit, i cili ishte “urdhëruar” nga partia që të ia zënë vendin ish-deputetit të VV-së.

“Çështja e vendeve të grupeve parlamentare është e drejtë e subjekteve politike dhe për to merren vendimet nga subjektet politike. Mua me është caktuar ai vend, deputet Abazi është arsyetuar se nuk e ka pasur njoftimin, prandaj unë e mirëkuptova dhe ia dhashë mundësinë që të njoftohet me vendimin e marrë. Nuk ka pasur asgjë tjetër”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën Nacionale.

Për këtë incidentet nw parlamentar ka treguar edhe deputeti Abazi.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar për atë që e quajti “incidenti i radhës” duke thënë se kjo ishte për me urdhër të Kurtit.

“Kur shkova te ulësja në Kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelën time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Salih Zybën.”, kishte shkruar ai.

Përplasjet e Abazit me VV-në

Historia e mospajtimeve të deputetit Abazi me partinë e tij ka filluar në këtë legjislaturë.

Edhe javën e kaluar, deputeti i VV-së, Salih Zyba, e kishte penguar deputetit Haki Abazi gjatë fjalës së tij në foltore të Kuvendit të Kosovës.

“Ne kena mujtë me i nda rrugët por rrugën s’mujna me ia ndalë njëri-tjetrit... Mos ke dashtë me e provu picën e PDK-së?” – i kishte thënë Zyba, që i kishte ndërhyrë edhe në fjalë.

“Kur të vjen puna me hangër pica të PDK-së, besoj që shihemi tjetërkund.” – ia ktheu Abazi duke i thënë mes tjerash edhe “të lutem mshele gojën,”.

Përveç kësaj, Abazi i kishte kërkuar Zybës edhe disa sqarime tjera.

“Tani z. Zyba që duket se jeni emëruar si emisar për të kundërshtuar e për të bërë zhurmë, unë kisha dashtë ty me të dëgju duke folë për çështjen e znj. Çavdërbasha si zëvendësministre, se si dhe për çfarë është larguar nga vendi i punës. Për znj. Tropika Agaj, po ashtu që ti nuk e ke thanë asnjëherë asnjë fjalë, e për znj.Valëza Mjeku. Do të thotë janë tri femra që janë largu nga pozitat e tyre pa u thënë asnjëherë asnjë fjalë,”, kishte thënë Abazi.

Deputeti Abazi nga fillimi i kësaj legjislature ka filluar pakënaqësitë në lidhje me Qeverinë Kurti dhe sidomos me shefen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarin.

Ai e kishte drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për procesin e dialogut dhe për politikën e jashtme.

Abazi ishte shprehur kritik edhe për strukturën e brendshme të VV-së.

Këtë parti, ai e kishte akuzuar edhe për zhdukjen e provave të Astrit Deharit.

Pas këtyre kritikave, VV-ja Abazin e kishte larguar edhe nga posti i Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Në Qeverinë Kurti I, Abazi ishte njeri shumë i fuqishëm. Për shkak të ndikimit të tij ai kishte marrë postin e zëvendëskryeministrit.

Lajme të ngjashme