“Turp; po shërbehet me "argumente" të Serbisë”, Gërvalla kritikohet ashpër për sulmin ndaj Haradinajt - NACIONALE

“Turp; po shërbehet me "argumente" të Serbisë”, Gërvalla kritikohet ashpër për sulmin ndaj Haradinajt

1 vit më parë

nga NACIONALE

Donika Gërvalla, kryetare e GUXO-s dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është në shënjestër të kritikave. Arsyeja e kritikave është një sulm personal që ia bëri Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, të cilin e quajti “të ashtuquajtur hero i Çakorrit” dhe “gjeneral i vetëshpallur”.

Ndër të parët që reaguan ishte Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Pejë, rajon të cilin Haradinaj e kishte komanduar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në një reagim në Facebook, OVL e UÇK-së në Pejë e konsideroi fjalimin e Gërvallës për “turp”.

“Ministrja Gërvalla-Schwarz është personi i parë në politikën e pasluftës që e përdor sakrificën e dëshmorëve për t’i sulmuar ata dhe për të njollosur luftën e shenjtë për liri. Kjo nuk sjell bashkim, por ndarje. Nuk forcon shtetin, por e përçan popullin. Nuk e nderon të kaluarën, por e shkel me përbuzje.

Turp!” – ka shkruar OVL e UÇK-së.

Ndërsa Pal Lekaj, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së, ka shkruar se Haradinaj ka dalë faqebardhë përballë drejtësisë ndërkombëtare dhe historisë.

“Le t’i kujtojmë Gërvallës dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e saj përçarëse se Ramush Haradinaj ka dalë faqebardhë përballë drejtësisë ndërkombëtare dhe historisë, ndërsa ajo do të mbahet mend për sulmet e ulëta dhe dështimet e saj politike. Kosova nuk ka nevojë për gjuhë urrejtjeje, por për bashkim, vizion dhe respekt për ata që na sollën këtu ku jemi sot.” – ka shkruar ai.

Adriatik Kelmendi, moderator i emisionit “Rubikon”, e ka krahasuar gjuhën e Gërvallës me argumentet e Serbisë.

“Mos harroni, “argumentet” e Donikës janë argumente të Serbisë. Ajo është e rrezikshme dhe me prapavijë djallëzore. Lexojeni me kujdes.

Kur Donika Gërvalla Shfarc e quan Ramush Haradinajn gjeneral i vetëshpallur, pra i rremë, kjo i bie se edhe UÇK-ja ka qenë ushtri e vetëshpallur, e rreme.

Nëse UÇK-ja ka qenë ushtri e vetëshpallur, pra e rreme, atëherë edhe kauza e saj për çlirim i bie e rreme.

Nëse kauza për liri ka qenë e rreme, atëherë edhe shtetësia e Kosovës del të jetë e rreme” – ka shkruar Kelmendi.

Çfarë tha Gërvalla?

Në fjalimin e djeshëm në Deçan, Gërvalla e akuzoi rëndë Haradinajn, duke e quajtur “të ashtuquajtur hero i Çakorrit”.

“Ju i njihni mirë ata që në të kaluarën ju premtuan dhe ju mashtruan. E njihni edhe të ashtuquajturin hero të Çakorrit, i cili sot ju premton anëtarësim të NATO-s. Madje, madje brenda tre muaj madje” – tha mbrëmë Gërvalla.

“Ende pa i fshirë fotografitë me Radojçiqin, thotë që kryeministri dhe qeveria e e juaj e Kosovës qenka bashkëpunëtore e Serbisë. Ky kryeministër që Radojçiqin e mposhti në Banjskë, ia shkatërroi bandat, ia konfiskoi pasurinë marramendëse, e dëboi nga Ksoova dhe e izoloi përgjithmonë në Serbi” – ka thënë ajo.

Gjithashtu, Gërvalla e quajti Haradinaj si “gjeneral të vetëshpallur”.

“Vëllezër, Kosova në NATO nuk hyn as me gjeneralë të vetëshpallur e as me katër milionë euro buxhet në vit për ushtri siç ishte më parë” – ka thënë Gërvalla.

Lajme të ngjashme