Trumpi fiton, e siguron numrin e nevojshëm të votave në Kolegjin Zgjedhor - NACIONALE

Trumpi fiton, e siguron numrin e nevojshëm të votave në Kolegjin Zgjedhor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti Donald Trump tashmë e ka siguruar numrin e nevojshëm të votave të Kolegjit Zgjedhor për t’u bërë fitues i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Kur janë numëruar shumica e votave, sipas projeksionit të televizionit CNN, republikani ka 276 vota të Kolegjit Zgjedhor, gjashtë më shumë se minimuni i kërkuar për shumicë.

Ai do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë katër vjet pas nxitjes së një kryengritjeje të dhunshme në ndërtesën e Capitol-it si pjesë e përpjekjeve për të qëndruar në pushtet, duke mos e pranuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Trumpi do të bëhet ish-presidenti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas humbjes në zgjedhje. Grover Cleveland ishte i pari. Trumpi tani është në moshën e njëjtë që e kishte Joe Biden, kur ishte bërë presidenti më i moshuar në historinë e ShBA-së.

Zgjedhja e ish-presidentit vjen disa muaj pasi u mbijetoi vrasjeve në tentativë kundër tij.

Përderisa presidenti e festoi fitoren, republikanët shënojnë edhe një fitore tjetër – rikthimin e kontrollit në Senat.

“Ky ishte mandat. Jo vetëm për Trumpin, por edhe Kongresin. Pasja e Senatit do ta bëjë tërë ndryshimin” – tha një person i afërt me Trumpin.

Sipas projeksionit të televizionit CNN, Trumpi do të fitojë edhe në një shtet tjetër kyç të garës, Wisconsin. Ky shtet ka dhjetë vota në Kolegjin Zgjedhor, organ që e zgjedh presidentin.

Në zgjedhjet e vitit 2020, demokrati Joe Biden kishte fituar atje me më pak se 1 për qind dallim, ndërsa Trumpi kishte fituar më 2016.

Lajme të ngjashme