Tronditet Komuna e Klinës, vriten dy persona
Komuna e Klinës është tronditur sonte. Të shtënat me armë zjarri në një lokal në qendër të qytetit kanë qenë fatale për dy persona.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka bërë me dije se nga të shtënat kanë mbetur të vrarë dy persona.
“Dy persona janë të vrarë. Është arrestuar edhe i dyshuari.” ka thënë Nikçi për gazetën Reporteri.
Kurse, për Radio Televizionin e Kosovës ai ka dhënë disa detaje tjera.
“Personi që ka kryer këtë vrasje është në pranga, në vendin e ngjarjes janë dy prokuror të krimeve të rënda, se bashku me të gjitha njësitë relevante policore. Gjithashtu ka arritur edhe ekipi i mjekësisë ligjore për ta tërhequr njërin nga trupa e pajetë. Në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme”, është shprehur.
Nikçi nuk ka mundur të flasë për motivet e kësaj ngjarje të rëndë.
Ai ka thënë se është ende herët të flitet për motivet.
“Personi i arrestuar me urdhër te prokurorit të shtetit do të ndalet për 48 orë, ndërsa për motivet është shumë fazë e hershme të flasim”, ka thënë ai.
Paraprakisht rastin e kishte konfirmua edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë me dije se vdekja e njërës viktimë është konstatuar në vendin e ngjarjes.
Ai ka bërë me dije se i dyshuari është arrestuar.
“Rreth orës 17:17 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi” në një lokal sipas informatave të para një person është pa shenja jete vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa një person tjetër është dërguar në emergjencë. Një i dyshuar lidhur me rastin është arrestuar”, është shprehur Gashi.