Tri mesazhet direkte të Vjosa Osmanit për Kurtin rreth hapjes së Urës së Ibrit
Një pritje me lule dhe një organizim nga dikur bashkëpartiaku i saj si kryetar i Vitisë, Sokol Haliti, i parapriu disa deklaratave të fuqishme nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit në një konferencë të shkurtër për media, natyrshëm, u pyet për qëndrimin e saj rreth Urës së Ibrit.
Siç ka ndodhur kohëve të fundit, dallimet me saj dhe kryeministrit Kurti tashmë shihen lehtësisht.
Tri mesazhe direkte i dha presidentja e vendit, karshi qëndrimeve të Kurtit dhe vartësve të tij për hapjen e Urës së Ibrit. Një pajtueshmëri mes Kurtit dhe Osmanit, duket se ekziston që tema e Urës së Ibrit, të mos diskutohet në asnjë mënyrë në Bruksel.
Por, cilat ishin mesazhet e Osmanit karshi atyre të Kurtit?
Mesazhi i parë i Vjosa Osmanit, ishte direkt. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet një konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarëve të Amerikës.
Për këto paralajmërime, ka pasur reagime të shumta ditëve të fundit nga deputetë e militantë të pushtetit, ndaj të cilave duket se Osmani jep mesazh të qartë.
“Ajo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë, ajo urë është mbyllur për arsye politike. Ura duhet të hapet, por duhet të sigurohemi që kur hapet mbetet e hapur, e jo kur hapet nxit prezencë të NATO-s më të madhe në të. A është në interes të Kosovës të shohim konflikt mes Policisë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar në tokë që pajtohet me të. Duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodh. Nuk ka arsye që të kemi konflikte me aleatët tanë. Ata na kanë shpëtuar. Natyrisht, edhe për shkak të sakrificës së popullit tonë, ata janë me ne ta mbrojmë sovranitetin tonë. Urat kur të hapen janë të hapura”, ka vlerësuar Osmani.
Mesazhi i dytë, më tepër mes rreshtash, i presidentes, ndërlidhet me faktin se hapja e Urës së Ibrit nuk duhet të jetë një sukses i momentit. Pra, të mos rrezikohet ndonjë konflikt, për sukses momental. Kjo pas shumë dilemave që janë ngritur kohëve të fundit, se ky diskutim po bëhet për qëllime politike, pak para zgjedhjeve.
“Në takimet e mia me SHBA asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës, përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel, të cilat kanë paraparë hapjen e urës. Po sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatet tanë të sigurisë dhe ta hartojnë se bashku planin e zbatimit, i cili i merr parasysh vlerësimi e sigurisë edhe të Kosovës dhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj se në shumicën e rasteve ato janë identike. Dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshme në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit, por sukses i përhershëm”, ka thënë Osmani.
E mesazhi i tretë gjithashtu direkt nga Osmani, ishte se siguria në Kosovë nuk është individuale, e as diçka që e lëndon vetëm Kosovën. Ajo tha se Amerika e ka shpëtuar Kosovën, dhe si rezultat duhet koordinim.
“Në çdo vend të botës ku Amerika apo NATO kanë rol në mirëmbajtjen e sigurisë, nga shtetet baltike e deri te Islanda, e deri te shtetet në Paqësor, sovraniteti e të cilave dhe paqaj mirëmbahet nga ato vende dhe Amerika, të gjitha ato vende konsultohen dhe koordinohen me partnerët e tyre të sigurisë. Nuk është asgjë e jashtëzakonshme, dhe nuk dallon nga mënyra se si funksionojnë shtetet Baltike. Ka forca edhe në Rumani, edhe Poloni. Paqja e siguria është çështje globale, jo individuale, jo vetëm e jona. Paqja dhe siguria në Kosovë nuk e afekton vetëm Kosovën, afekton paqen dhe sigurinë në suaza shumë më të gjera. E në veçanti në rastin tonë kur e dimë historinë, e mbajmë në mend. 1999 nuk është para dy shekujsh, është para dy dekadave”, ka vlerësuar ajo, duke shtuar se Kosova e gëzon lirinë falë mbështetjes së aleatëve.
“Sot e gëzojmë këtë paqe sepse kemi vepruar me aleatë. Në takimet e mia me Amerikën, asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së Urës. Janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel që kanë parapraë hapjen e Urës. Për çdo temë të sigurisë, kërkojnë dhe i luten të Kosovës që të ulemi bashkë dhe ta hartojmë bashkë planin e zbatimit i cili merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë, në shumicën e rasteve ato janë të njëjta. Në bazë të vlerësimeve të përbashkëta, të përzgedhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit, por i përhershëm”, ka thënë Osmani.
E pajtimi mes Kurtit e Osmanit, duket se ekziston që për hapjen e Urës, të mos diskutohet në Bruksel.
“Deklaratat e zëdhënësit të BE-së janë raciste, as nuk meritojnë më shumë vëmendje. Jam deklaruar në raport me ato deklarata raciste, nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njëjtë sikur zëdhënësi nga Sllovakia që nuk e pyet asnjë shtet fqinj kur e kalon urën e vet. Nuk pyetet Serbia për Urën tonë. Dialog nuk do të duhej të pranonte askush për këtë temë. Dialog me shpëtimtarët tanë, jo vetëm që është e nevojshme, është në interesin tonë mbi të gjitha. I lus qytetarët tanë në situatën kur në botë aleatët tanë po merren me lloj lloj konfliktesh, dhe po shohim vuajtjet njerëzore të konflikteve, që të punojmë me njerëzit që gjithmonë kanë qenë në krahun tonë.” – ka thënë Osmani të enjtën para gazetarëv gjatë një vizite në Viti.