Tri marrëveshjet e 3 nëntorit, krejt çka ndodhi dje në Berlin
Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia më 3 nëntor nënshkruan tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Marrëveshjet e nënshkruara nga udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas gati dy viteve negociata, duhet që fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.
E krerët shtetërorë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të enjten në kryeqendrën gjermane, Berlin, nënshkruan tri marrëveshje rajonale, me theks të veçantë atë të lirisë së lëvizjes me letërnjoftime.
Veç kësaj, palët e vunë firmën edhe për dy të tjera, që kanë të bëjnë me diploma, më saktësisht me arsimin e lartë, dhe atë të njohjes së kualifikimeve:
1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor
2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor
3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore
Mikpritësi i samitit të Procesit të Berlinit, kancelari Scholz, e hapi fjalimin e tij me premtimin tashmë të dëgjuar, atë se gjashtë vendet e rajonit meritojnë të integrohen në familjen e madhe evropiane.
Sipas kancelarit, kjo gjë është në vetë interesin e rajonit. Ai gjithashtu shtoi se Procesi i Berlinit nuk do ta çlirojë potencialin e bashkëpunimit, por pritet të jetë katalizator për integrim sa më të shpejtë.
“Sot po bëni hapa madhorë duke nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do t'i nxitë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’ua mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva t'i plotësojnë studimet e tyre në Beograd apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup”- deklaroi ndër të tjerash Scholz.
Ç'tha Kurti?
Kryeministri i Republikës së Kosovës njërin nga adresimet kryesore e pati për planin franko-gjerman dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Shefi i ekzekutivit kosovar e komentoi edhe rrugëtimin e Procesit të Berlinit, duke thënë se është mirë që opsionet, modelet, idetë, të cilat po prezantohen kohëve të fundit, janë avancim, meqënëse bëhet fjalë për nocione universale.
“Së pari, opsionet, modelet, idetë të cilat po prezantohen kohëve të fundit, pa dyshim, janë avancim, meqenëse bëhet fjalë për nocione universale, siç janë integriteti territorial, pavarësia dhe barazia. Kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme mes Kosovës e Serbisë, që, për bindjen tonë, duhet të jetë finale, ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke. Është herët të themi se çka do të përmbajë ajo në fund, por ka lëvizje të duhur nga të ashtuquajtura marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të posaçme, që shndërrohen në solucione sui genersis, me hollësi të panumërta, te një marrëveshje e cila është e bazuar në vlerat evropiane”- deklaroi ndër të tjera kryeministri i Kosovës.
"Mbyllja" e Ballkanit të Hapur!
Përkundër faktit se kishte të atillë që konsideronin se Ballkani i Hapur e Procesi i Berlinit janë dy "projekte" që mund të funksionojnë paralelisht, kjo gjë nuk po shihet në horizont.
Ballkani i Hapur e kishte gëzuar mbështetjen e disa vendeve evropiane si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto të fundit thoshin se përkrahin çdo nismë ku shtetet e rajonit konsiderohen të barabarta.
Sidoqoftë, një lëvizje e udhëheqësve të Samitit të Berlinit mund t'i devijojë paksa gjërat sa i përket Ballkanit të Hapur.
Kjo pasi Shqipëria, njëra nga mbështetëset më të mëdha të procesit në fjalë, do të jetë kryesuese e Procesit të Berlinit dhe organizatore e samitit të ardhshëm.
I njëjti do të mbahet më 6 dhjetor. Organizimet e tilla me lejen e Berlinit do të thonë se për të tjera organizime ka më pak vend.
Gjithsesi, deri më tani jemi në suazat e supozimeve, kurse mbetet të shihet ditëve në vijim, nëse do të ketë diçka tjetër më konkrete.
Shqipëria, nikoqire e takimit të radhës
Takimi i radhës mes udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi rezultatin e arritur në Procesin e Berlinit si “histori e bukur që ka qenë në zemër të projektit evropian”.
“Kur u ulëm këtu bashkë për herë të parë, ishim urryer për shekuj të tërë, ndërsa tash kjo është ajo që duam ta bëjmë të gjithë. Të gjithë e kemi pasur kënaqësinë të jemi sot këtu, tetë vjet pasi nisi Procesi i Berlinit”- u shpreh Rama.
Takimet në margjina të Procesit të Berlinit
Para fillimit të samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, dhe me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.

