"Trekëndëshi": Çka thotë shkrimi 'fantazmagorik' me helm ndaj medieve që po pëlqehet nga këshilltarët e Kurtit?
Gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit ndaj medieve tashmë është bërë normalja e re në Kosovë. Por, ajo po ndodh edhe përmes zyreve më të pushtetshme të Kosovës duke bërë që të minohet efektivisht puna e lirë dhe e pavarur e gazetarëve. I tillë është një shkrim që meriton gjithë vëmendjen e lexuesve tanë për ta kuptuar se deri ku shkon fantazia e eksponentëve të pushtetit.
Ky shkrim është shkruar nga Arsim Zekolli, dhe na flet për një trekëndësh të zi që po e rrezikon Albin Kurtin. Është një trekëndësh kriminal mes krimit, diplomacisë dhe mediave.
Është i rëndësishëm sepse ky shkrim është shpërndarë nga hiç më pak se Elvis Hoxha, aktivisti nga Shqipëria që ishte këshilltar i Kurtit në Qeverinë e tij të parë dhe tash ka një zë të fuqishëm në rrjete sociale në mbrojtje të tij. Është pëlqyer nga këshilltarët aktualë të Kurtit si Fehmi Tahirsylaj e Sebastien Gricourt.


Të gjithë kundër Kurtit
Sipas këtij shkrimi, nuk është Kurti ai që po ushtron censurë ndaj mediave. Janë mediat ato që po nënshtrojnë censurë ndaj mediave.
Dhe këto media kanë një cak të përbashkët: eliminimin e Albin Kurtit.
Por, sipas tij, ky trekëndësh është aq i madh sa përmban në vete përfaqësues politikë të shumicës së banorëve të botës.
Në grupin e parë, janë diplomatët nga ShBA dhe BE që sipas Zekollit janë irrituar nga “pamundësia për ta shantazhuar Albin Kurtin”.
“Kampanja e tanishme “mediale” është vazhdimësi e kampanjës diplomatike Eskobar – Hill për “zëvendësim alternativ” të Albinit.” – shkruan tutje ai.
Më tej, z. Zekolli shpreh bindjen se tani ka një tentativë për demotivim të qytetarëve e cenim të popullaritetit të VV-së.
Për më keq, ai bën edhe një përbashkim të çuditshëm: me Qeverinë e VV-së i humbën privilegjet ata që i kishin ato privilegje falë bashkëpunimit me UDBA-në e pastaj me UÇK-në.
Se çka bëjnë UÇK-ja me UDBA-n në një fjali, kjo mund të kuptohet vetëm nga autori apo shpërndarësi i tij, Elvis Hoxha. Apo edhe këshilltarët e lartpërmendur të Kurtit.
Këtu e gjeni edhe grupin e dytë.
Dhe grupi i tretë janë oligarkët.
“Strategjia e këtij Trekëndëshi Krim-Diplomaci-Media asprion rrënimin e Kurtit. Dhe lehtësia e padënueshmëria e kësaj strategjie deri më tani diktohet nga fakti që në Kosovë nuk ka asnjë media pro-Kurti.” – pretendon ai.
Zekolli ka paralajmëruar edhe “më shumë hiena-moralizëm” nga “Eskobari, Lajçaku, Hilli, Borrelli, Devollët, Rohde, Maliqi dhe (sic) langaraqet e tyre medialë kundër VV dhe Kurtit”.
Megjithatë, ka një ‘dredhi’ në këtë shkrim trilli: qëllimi dhe caku final nuk është eliminimi i Kurtit. Është “përmbysja sociale, politike, kulturore, mentale, historike të prezantimit të kosovarizmit si koncept dashakeq, primitiv, atavist dhe favorizimit të jugosllavizmit si koncept pozitiv, bashkëkohor, vizionar.”
Në fakt, asnjë figurë publike apo diplomat ndërkombëtar nuk e ka mbështetur ndonjëherë konceptin e jugosllavizmit.
Ai ka kërkuar “censurë masive” të mediave.
*Zekolli mësohet se ka qenë ambasador i Maqedonisë së Veriut në OKB.

