Tregtarë Lëmoshash
Shkruan: Arbër Koliqi
Tregtarë Lëmoshash
Është koha me i shkru edhe une nja dy-tri fjalë. A e keni pa kur thonë, "A ja ke lexuar op-ed-in filanit?!" Me demek oped-i është njëfare statusi shoqëror. Nejse, 99% nga ju që do ta lexoni këtë ‘op-ed’ nuk më njihni. Tek e fundit, rëndësi kanë fjalët. Po dal në temë. Për mua, Kosova është gëzim dhe dhimbje.
Gëzim për arritjet e saj në këto 25 vite, dhe dhimbje që këto suksese më duhet t’i përjetoj nga larg. Ka edhe inate, gabime e dështime, por ato janë më të pakta në krahasim me sukseset tona si popull. Kur ka zgjedhje ose festa, diçka më shtohen emocionet. Më kap njëfarë ankthi, lëshoj ndonjë këngë patriotike, e shikoj ndonjë fotografi, edhe telefonoj edhe atë shokun në Prishtinë. E natyrshme është kjo gjendje shpirtërore e një shqiptaro-amerikani.
Të tilla ishin edhe zgjedhjet e 9 Shkurtit. I prita me vesh përpjetë, entuziast për verdiktin e sovranit për katër vitet e kaluara. Kosova është demokraci e konsoliduar tashmë, me zgjedhje të lira dhe demokratike, institucione te pavarura, dhe elektorat të emancipuar. Duhet thënë se fushata ishte e qetë, pak incidente aty-këtu, ndonjë sharje ose ofendim, dhe kryesisht e mirë-organizuar në aspektin logjistik dhe teknik. Kjo fushatë i ka ndihmuar edhe ekonomisë.
Zgjedhjet janë shpenzim i buxhetit, por edhe gjenerojnë konsum në ekonomi. Janë win-win, si do të thoshte një mik i imi nga Pittsburgh. Harrova të ju tregoj – në këto zgjedhje kam qenë opozitar. Paskam qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, edhe në ato të para-kaluarat… paskam qenë gjithmonë opozitar! Si do që të jetë, për nga bindjet jam i djathtë. Libertarian i thonë disa. Qeveritë e majta nuk ma therrin. Soshalli, lemoshat, banesat, superpunat, inspektorat... këto janë kotësira të dëmshme për ekonominë dhe mirëqenien. Prandaj gjithmonë kam qenë opozitar.
Në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë një qeveri të tregut të lirë, të biznesit, të kapitalit, të konkurrencës. Gjithmonë kanë qeverisur të majtët ose më pak të majtët. Tregtarët e lëmoshave. Në këto zgjedhje isha optimist. Më në fund e kishim një front të tregut të lirë kundër një ekonomie të centralizuar që udhëhoqi për katër vite.
Programet e partive opozitare ishin edhe me gabime e premtime të çmendura, por kryesisht përmbanin frymën e një platforme të bazuar në zhvillimin ekonomik, tregun e lirë dhe investimet kapitale. Dhe ky front fitoi më 9 Shkurt. Anketat dhe analizat tregojnë që preokupimi kryesor i votuesve të tri partive opozitare ishte ekonomia. Rreth 100 mijë votues që kishin votuar për pushtetin e tanishëm u dëshpëruan me këtë qeverisje. Njerëz të thjeshtë, punëtorë nga të gjitha profesionet, burra e gra, qytetarë e fshatarë, e gjetën veten me xhepa të zbrazur, inflacion të papërballueshëm dhe arsim e mjekësi të përkeqësuar.
Në anën tjetër, në mungesë të konsumatorëve mijëra biznese i mbyllën dyert, deficiti tregtar shënoi rritje, dhe investimet e huaja nuk u panë askund. Mos të flasim pastaj për investimet kapitale. Brenda frontit fitues, PDK arriti rezultatin më të mirë. Kishin edhe program të balancuar, por edhe arritën që përmes një fushate të emancipuar ta ruajnë bazën dhe të shtojnë vota në shumë komuna. LDK poashtu bëri një fushatë të shkëlqyer.
Si parti punuan shumë në kato katër vite. Lidershipi i ri arriti të kthejë një pjesë të votës së humbur në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, LDK bëri një gabim që besoj e parandaloi të arrinte një rezultat edhe më të mirë – e neglizhoi sentimentin nacionalist që ekziston në Kosovë. Edhe pse ekonomia ishte prioritet për votuesin opozitar, flamuri kuq e zi, bashkimi kombëtar, dhe Shqipëria janë sentimente të patjetersueshme dhe të forta tek populli i Kosovës. Sidomos kur në diskursin publik është i pranishëm Veriu, sulmet terroriste, bandat e Vučićit, Rusia, etj. LDK është parti e djathtë – nuk ka të djathtë pa nacionalizëm.
E 'Kosovarizmi' nuk është nacionalizëm në kontekstin tonë kohor dhe politik. Duke mos dashur të hyj në shtjellime të temave tjera si Veriu, marrëdhëniet me Amerikën, izolimi, skandalet e kësaj qeverie, amatorizmi në shumë fusha… tema që ngacmojnë delirin e militantëve të territ të këtij pushteti, po dua ta përfundoj me një konkluzë logjike:
Në këto zgjedhje fitoi mirëqenia, dhe humbën tregtarët e lëmoshave.