Tre të vdekur e pesë të lënduar: Krejt çka dihet për aksidentin në magjistralen Mitrovicë - Pejë
Tre persona kanë vdekur në një aksident trafiku në rrugën Mitrovicë-Pejë të dielën mbrëma. Në këtë aksident lëndime kanë pësuar edhe pesë përsona të tjerë. Gjithashtu në aksident ka qenë e përfshirë edhe një veturë e Policisë së Kosovë. Për rastin ka reaguar kryeministri, Albin Kurti, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura. Krejt çka dihet.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për këtë aksident ku mbetën të vdekur tre persona dhe u lënduar pesë të tjerë.
“Rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor. Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë rast ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti. Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë.” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka reaguar për rastin, duke shprehur ngushëllime për familjen Gashi që humbi tre familjarët e tyre.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për aksidentin e rëndë që ndodhi në Çubrel të Skenderajt, ku humbën jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja. Kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne. Në këto çaste të vështira, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, të afërmve dhe miqve të tyre. Peja dhe gjithë qytetarët e saj janë pranë jush në këto momente të rënda.” – ka shkruar ai në Facebook.
Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili ka vizituar të lënduarit në spital.
Ai ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës. Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve!” – ka shkruar ai.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Thellësisht i tronditur me humbjen e tri jetëve në aksidentin e sontëm në Magjistralen Mitrovicë - Pejë, saktësisht në fshatin Çubrel.Familjarëve të viktimave, miqve dhe të afërmve të tyre, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Shpirti i tyre u prehtë në paqe!Të lënduarve të tjerë shërim sa më të shpejtë.” – ka shkruar ai në Facebook.
Deri më tani nuk dihen shkaqet që çuan në këtë aksident me pasoja fatale.