Tre muaj të Abdixhikut: Prej ‘nervozimit’ të ish-opozitës e deri refuzimi i trefisht për VV-në
Derisa Albin Kurti e kishte vërshuar me mbështetës sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë për të festuar fitoren që s’e kishte marrë e me denigrime në terma kafshësh si “hajvanë” për liderët e opozitës, Lumir Abdixhiku, çehrengrysur, ishte shprehur “i lumtur të jem në opozitë” pas rezultatit jo të kënaqshëm, megjithatë ngritës, zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Albin Kurti me synim 500 mijë votash, kishte humbur dhjetë mandate – kësisoji shumica shqiptare elektorale duke kaluar te partitë ish-opozitare; të gjitha të etabluara se s’bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Pritshmëritë Vetëvendosja megjithatë i ushqente ende në votën e diasporës – ku nga 47 deputetë në rezultatet preliminare supozonin se do të arrinin deri në 52 – dhe se, kësisoji, me 10 apo 11 deputetë nga pakicat joserbe të mund të ndërtonin qeveri të tretë të Albin Kurtit.
Këto pritshmëri ia rrënoi elektoralisht LDK-ja, e cila pa një ngritje të ndjeshme në votë: ndërsa Vetëvendosja këtu nisi sulmet e mëdha ndaj LDK-së e cila kishte depërtuar në një terren zgjedhor ku Vetëvendosja supozonte pa mëdyshje se kishte monopol eksluziv.
LDK shtoi një deputet nga votat e diasporës: dhe mu aty kristalizuan qëndrimin e tyre.
Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së, u përcaktua se “preferencë është qëndrimi në opozitë” duke thënë se nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie afatshkurte, jo stabile dhe ku s’e ka kryeministrin – përkitazi, sipas tyre, me zotimet e dhëna paralektorale.
Përpjekjet e partive ish-opozitare për të krijuar bllok ish-opozitar, Abdixhiku i hodhi poshtë për “naive”, “jo realiste” dhe “premature” – duke lexuar bllokadë nga Vetëvendosja për të formuar institucionet (gjë që edhe po ndodh).
“LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pra, pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare” – shprehej Abdixhiku.
Fill pas kësaj, Bedri Hamza, i nominuari i PDK-së për kryeministër, nisi të jepte për adresë eventuale të dështimit të një koalicioni paszgjedhor të partive ish-opozitare Lumir Abdixhikun.
...Ka përgjegjësi dhe adresë...[LDK-ja].
Këtë Hamza po e jepte në një intervistë të njëkohshme me Abdixhikun, i cili s’e shihte të mundshme – numerikisht në këmbë të drunjta – një koalicion ish-opozitar.
“Nuk futem për tetë muaj, nuk futem në qeveri vetëm sa për t’i rritë disa rroga aty, edhe po shkojmë në zgjedhje. Unë veç po respektoj verdikt qytetar”, thoshte Abdixhiku.
Lajtmotiv Abdixhiku e kishte “moslëndimin” e LDK-së.
“Pse duhet bërë qeveri deri në mars? Unë veç spo du me bë diçka që e penalizon LDK-në e më pas edhe Kosovën. Sepse afatshkurtja nuk të jep mundësi për punë”, vazhdonte Abdixhiku.
Hamza, në anën tjetër, e mbante për ‘faji’ po qe se nuk bëhet.
Abdixhiku vazhdoi në ‘turne falënderimi’ me votues të LDK-së nëpër vend, duke i siguruar se: “Nuk kthehemi mbrapa, mos u brengosni për atë punë”.
PDK i çonte porosi se nëse shkohet në zgjedhje të reja: “dihet kush ka përgjegjësinë”.
Po ashtu edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e jepte Abdixhikun si “bllokues...i cili s’po ndihmon me qasjen”.
Enter Vetëvendosje...
LDK i refuzoi ftesën e parë Albin Kurtit për të folur për – pa referencë – themelimin e instucioneve, çka ishte lexuar si ftesë e parë për koalicion.
Abdixhiku, me tone të mprehta, e kishte refuzuar.
E treta e vërteta, Kurti i kërkoi haptazi koalicion VV – LDK: “Pse të mos e bëjmë?”.
“Ju e dini tashmë qëndrimin e LDK-së”, u tha shkurtazi gazetarëve dje Abdixhiku, pas pranimit të letër-ofrimit të koalicionit nga Kurti.
Ndërkaq sot Abdixhiku e konkretizoi JO-në në letër.
Propozoi edhe Qeveri Kalimtare Nacionale.
Por, edhe zgjedhje të reja – si përgjigje ndaj Kurtit.
- Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në...(Albin Kurti)
- Në qoftë se janë [Vetëvendosja] të gatshëm për zgjedhje, shkojmë në zgjedhje (Lumir Abdixhiku)
Kurti në atë letër gërshetoi çkah’mos: prej edhe brendarreshtash fyerje si “LDK njihet si parti që nuk heziton për koalicione”.
Konstatoi edhe se çka dëshiron elektorati i LDK-së dhe ia bëri, në mendjen e vet, sondazhet: “pak mund të ndryshojë për LDK-në”, tha Kurti, në eventualitetin e zgjedhjeve të reja.
Abdixhiku, krahas refuzimit të koalicionit dhe propozimit për një Qeveri Kalimtare e cila do të shërbente si medium për shkuarje në zgjedhje të reja: iu përgjigj Kurtit në tezat e tij të mësipërme.
“Jemi në krizë. Partia e parë nuk ka zgjidhje për krizën, ka tendencë bllokuese dhe ne po ofrojmë rrugë të zgjidhjes. Por, zgjedhjet nuk përjashtohen. Në qoftë se janë të gatshëm për zgjedhje, shkojmë në zgjedhje”, tha Abdixhiku para gazetarëve.
Në letrën e Kurtit, ky i fundit madje shkoi aq larg sa të thotë që edhe pas mbajtjes së tyre LDK-së dhe VV-së do t’i duhet të ulen për po të njëjtin koalicion, “prandaj, pse të mos e bëjmë?”.