Tre juristë, katër mendime: As njohësit e ligjit nuk pajtohen për draft-statutin e Asociacionit
Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kryetema e javëve të fundit. Ndonëse ende s’është publik dhe s’është përfundimtar, politikanët, shoqëria civile e juristët i janë bashkuar debatit mbi draft-statutin e Asociacionit. Madje, këta të fundit, pra juristët, kanë shumë mendime, gati më shume se që janë vetë. Çka thane juristët e Kosovës?
Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, në një artikull të titulluar “Kushtetuta material e kryeministrit Albin Kurti” konkludon se draft-statuti është “statut i autonomisë serbe.
“Statuti i Autonomisë serbe ka liruar Gjykatën Kushtetuese nga ky stres i panevojshëm – ka eliminuar nga referimi Aktgjykimin e vitit 2015, duke e hedhur atë në shportën e historisë së gjërave pa asnjë vlerë. Në vend të tij është futur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, si dhe disa tekste të tjera ligjore që, në asnjë rrethanë, nuk guxojnë dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Statutit të Autonomisë serbe, për faktin e thjeshtë se ato janë ligje.” – shkroi Hasani në një artikull autorial.
Tutje, ai e komentoi edhe përmendjen e Rezolutës 1244 në draft-statutin e publikuar në mediet kosovare.
“Futja e Rezolutës 1244, së bashku me ligjet, si bazë për interpretim të kushtetutshmërisë së Autonomisë serbe, dhe garantimi i njëkohshëm i integritetit territorial e sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin. Rezoluta 1244 garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës (sic!).” – shtoi Hasani.
Por një jurist tjetër, e kritikoi Hasanin për togfjalëshin “Kushtetutë materiale”. Sipas Durim Berishës, jurist i njohur që dikur ishte edhe këshilltar i kryeministrit Kurti gjatë Qeverisë Kurti 1, statuti i propozuar nga BE-ja nuk është Kushtetutë materiale e as kontratë sociale e Kurtit me serbët e Kosovës.
“Statuti i propozuar i BE nuk është as Kushtetutë materiale e as kontratë sociale e Albin Kurtit me serbët e Kosovës. Kontrata sociale është kontratë e pjesëtarëve të një shoqërie mes veti dhe jo dakordim i një etnie me organet qendrore të pushtetit. Kontrata sociale është ajo që Schmitti do ta quante vendim i tërësisë për ekzistencën e vet politike dhe juridike.
Drafti i Statutit të BE (nëse është ai drafti i saktë) nuk mund të konsiderohet kushtetutë materiale. Ky konstatim është po sa gabim, sa konstatimi se Ligji për FSK është i tillë. Ligji për FSK është amadament kuazi-kushtetues dhe jo kushtetutë materiale.” – shkroi ai.
Tutje, Berisha shtoi se nuk mund të konsiderohet draft-statuti njëkohësisht edhe kushtetutë materiale, edhe jashtë rendit kushtetues të Kosovës.
“Koncepti i kushtetutës materiale lidhet me teorinë e pushtetit kushtetutëbërës, pra me autorizimin për të vendosur (miratuar) normën kushtetuese, dhe jo me vendimet e kabinetit qeveritar. Nuk njeh as praktika e as teoria kushtetuese të drejtën e Qeverisë për të nxjerrë apo ndryshuar kushtetuta (as formale, as materiale).
Nuk mund të thuash në njerën anë se draft-statuti është kushtetutë materiale e në anën tjetër ta konsiderosh jashtë rendit kushtetues të Kosovës. Këto janë konceptet bazike të teorisë së kushtetutës materiale që bien ndesh njëra me tjetrën.” – shtoi Berisha.
Ndërsa Xhuljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, deklaroi se emri i Asociacionit nuk e përcakton gjithë domethënien.
“Ky Asociacion nuk është një krijesë që krijohet me vullnetin e komunave serbe të cilat edhe njëherë po theksoj kanë më shumë kompetenca se komunat tjera, por tash ky Asociacion nuk është si lloj Asociacioni kornizë, është lira me asociu, por tash edhe pse e ka emrin e tillë se tash emri nuk e përcakton gjithë domethënien, tash ky është Asociacion i kontrolluar dhe themeluar nga Qeveria e Kosovës” – deklaroi Mushkolaj gjatë një intervistë në “Pressing” të T7.

