"Tradhti": Çka na thotë 'incidenti i vogël' në Zveçan për Listën Serbe?
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk ka pasur ditë të mirë sot në Zveçan. Të paktën deri tash.
Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, në një moment kërkoi nga të tubuarit në Zveçan që të lëviznin, në mënyrë që të kalonin dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Por, siç raporton Radio Evropa e Lirë, të tubuarit nuk lejuan duke thirrur “tradhti”.
Madje, z. Rakiq e pësoi edhe më keq. Ndaj tij raportohet se u hodhën edhe shishe boshe.
Politikani serb nga Zveçani që kundërshton ashpër Listën Serbe, Aleksandër Arsenijeviq, e komentoi me këto fjalë gjithë këtë situatë:
“Goran Rakiq, njerëzit nuk po flasin siç po dëshironi ju!” – shkroi ai në Facebook.
Kryetari i Srpskas, Rakiq, gjatë ditës së sotme tha se ishin dy kërkesa që kërkonin të plotësoheshin. Njëra që kryetarët të largoheshin e po ashtu edhe që anëtarët e njësisë speciale të tërhiqeshin nga veriu dhe nga ndërtesat komunale.
Lista Serbe ishte sulmuar edhe për mungesën e saj në protestën e të premtes, ku në krye të protestuesve ishin parë dy politikanë opozitarë serbë si Arsenijeviq dhe Bishevac.
Politikanët e Listës Serbe në anën tjetër kishin qenë në një miting të presidentit serb Vuçiq në Beograd.
Në anën tjetër, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi sot që "jo të gjithë (protestuesit) ishin kukulla të Beogradit" duke i dalë kundër narrativës së shumë anëtarëve të VV-së se protestat dhe tensionet dirigjoheshin nga Vuçiqi.

