Themelimi i Institutit për Krime Lufte: Çka duhet të dimë?
Instituti që ekzistoi deri në kohën e qeverisë Haradinaj, u themelua sërish. Mirëpo tash qeveria Kurti II, Institutin për Krime të Luftës e bëri për herë të parë me Ligj të veçantë.
Më 17 shkurt, në 16 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në praninë e Kryeministrit Albin Kurti, në hapësirën e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë u bë pranim-dorëzimi i dokumenteve të para të këtij instituti.
Kurti falënderoi kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci dhe drejtorin ekzekutiv Avdi Hetemi, për punën siç tha ai të pakursyer të tyre për rolin e tyre ndër vite.
Kryeministri aty foli edhe për angazhimin dhe sakrificën e popullit për liri e pavarësi, sidomos në vitet ’90-ta.
“Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë.”, deklaroi Kurti, teksa shtoi më tej se funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi.
“Krahas institucioneve shtetërore, nga sot, të gjithë ata që kanë dëshmi për krimet e kryera nga Serbia e kanë Institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Që sot ju ftoj të gjithëve te bashkoheni në këtë nismë te rëndësishme, qëllimi është i përbashkët për ruajtjen e kujtesës kolektive”, deklaroi Kurti.
Drejtuesi i këtij Instituti, Atdhe Hetemi, tha se në këtë ditë historike për Republikën po shënojnë edhe një moment vendimtarë në rrugëtimin drejtë të vërtetës historike. “Kjo ditë nënkupton edhe një zotim për të mos i harruar kurrë viktimat. Në dy dekadat e fundit, institucione, organizata, individë gazetar e media kanë dhënë dëshmi e, me këtë akt, inkurajojmë te gjithë ata që mbajnë dëshmi të bashkëpunojnë me ne.”.
Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, i cili deponoi dosjen e parë, si dëshmi për krimet serbe tha se nuk ka qenë punë e lehtë.
“Apelojmë te të gjithë që kanë materiale t’i deponojnë ato, meqë tash e 25 vjet kemi pritur të kemi një institut.”.
Histori e themelimeve
Nuk është hera e parë që themelohet një institut që do të merret me dokumentimin e krimeve të luftës së viteve 1998-1999.
Ishte viti 2011, kur ministri i Drejtësisë në Qeverinë e drejtuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, me anë të një vendimi qeveritar kishte themeluar një institut për mbledhjen e fakteve mbi krimet e luftës.
Instituti ishte aktiv deri në vitin 2018 duke botuar disa libra, përfshirë kujtimet e rrëfimet e personave të pagjetur e raporte mbi shkatërrimin e pasurisë materiale të shqiptarëve.
Salihu, ish-profesor në Fakultetin Juridik, ishte udhëheqës i Institutit të themeluar në kohën e Thaçit.
Ai për Nacionalen pati kujtuar këtë kohë.
“Vitin e parë nuk kemi pasur fare zyrë. Kemi bërë punë të madhe, por nuk ka pasur mbështetje aq sa duhet. Në vend që të rritet stafit dhe të përmirësohen kushtet, Instituti është mbyllur”, kujtoi Salihu.
Instituti u mbyllgjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Salihu ishte më optimist për mundësinë e suksesit të Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë në këtë përiudhë.
“Ky institut do të dallojë nga parapraku për shkak se do t’i ketë zyrat, objektin dhe buxhetin, dhe do të ketë dyfish më tepër staf. Do të jenë të paktën 15 veta, prej të cilëve 5-6 doktorë shkence, 5-6 me master dhe 5 që do të punojnë në terren”, sqaroi Salihu.
Pjesë e nismës së Qeverisë Kurti për themelimin e Institutit ishin edhe institucionet e tjera publike, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqëria civile, njohës të së drejtës penale, KMLDNJ e të tjerë individë që kanë punuar në dokumentimin e krimeve serbe.
Një “hile” në mes?
Ky projektligj fillimisht u votua në qeveri, e më pas në Komisionin për Legjislacion.
Në Komisionin për Legjislacion, ky Projektligj u përkrahë edhe nga të gjitha partitë.
Në projektligjin e Institutit për Krime të Luftës, jepet si datë e fundit për grumbullimin e fakteve 31 dhjetori i vitit 2000. Kjo edhe pse lufta ka përfunduar më 12 qershor të vitit 1999.
Në fakt, “hilja” mund të qëndroj në faktin se, kur doli për konsultime publike ky Projektligj në nenin 2 të tij, ku fliste për fushëveprimin e ligjit thoshte: “Ky ligj zbatohet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.” Këtu edhe përfundonte neni 2, pa asnjë paragraf tjetër.
Kurse tash, në faqen e Kuvendit, aty ku mund ta gjeni Projektligjin, nëse e hapni, e shihni se neni 2, është plotësuar edhe me dy paragraf të tjerë: i pari i cili e zgjeron kohën e hetimit dhe dokumentimit, pra deri në fund të vitit 2000, dhe tjetri, paksa i çuditshëm, i cili “fton” të mos paragjykohet paragrafi paraprak.
Në lidhje me këtë ligj, kanë reaguar edhe disa deputetë të Partisë Demokratike.