The Guardian: Vuçiq e përdori luftën në Ukrainë në dobi të tij
Udhëheqësi i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpalli një fitore bindëse në zgjedhjet e përgjithshme të dielën, duke i hapur rrugën një mandati tjetër si president i Serbisë.
Rezultatet zyrtare ishin caktuar të shpalleshin të hënën, por Vuçiq u shfaq i sigurt në performancën e tij komanduese vetëm disa orë pas mbylljes së votimit, duke thënë se nuk do të nevojitej balotazh.
“Jam i kënaqur që një numër i madh njerëzish votuan dhe treguan natyrën demokratike të shoqërisë serbe”, deklaroi Vuçiç gjatë një fjalimi të fitores në televizion, duke thënë se ai siguroi afërsisht 60% të votave.
Shtatë milionë banorët e Serbisë dolën në votime për të zgjedhur presidentin dhe anëtarët e parlamentit prej 250 vendesh, dhe për të votuar në zgjedhjet komunale.
Sondazhet kishin parashikuar se Partia Progresive Serbe (SNS) e qendrës së djathtë të Vuçiqit do të ruante dominimin e saj mbi parlamentin, ndërsa presidenti do të siguronte një mandat të dytë.
Pushtimi rus i Ukrainës hodhi një hije të madhe mbi garën që vëzhguesit kishin parashikuar më herët se do të fokusohej në çështjet mjedisore, korrupsionin dhe të drejtësinë.
Vuçiq përdori me shkathtësi rikthimin e luftës në Evropë së bashku me pandeminë e koronavirusit në avantazhin e tij, duke u premtuar votuesve stabilitetet në këtë kohë pasigurie.
"Ndikimi i krizës ukrainase në rezultatet e zgjedhjeve ishte i madh", tha Vuçiq në fjalimin e tij të fitores, duke shtuar se Serbia nuk ka plane të devijojë nga akti i saj balancues midis BE-së dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
“Serbia do të përpiqet të ruajë marrëdhënie miqësore dhe partneriteti në shumë fusha me Federatën Ruse”, tha Vuçiq.
Pas një dekade në krye të shtetit, ai ka forcuar gjithnjë e më shumë kontrollin e tij mbi levat e ndryshme të pushtetit, duke përfshirë kontrollin de facto mbi shumicën e mediave dhe shërbimeve qeveritare, shkruan gazeta britanike.
Në muajt para fushatës, presidenti paraqiti një sërë ofertash ndihme financiare për grupe të përzgjedhura, duke bërë që kritikët të thonë se ai po përpiqej të "blinte" vota përpara zgjedhjeve.
Në bazë të rezultateve të 91,42 për qind të vendvotimeve të numëruara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, aktualisht, Aleksandar Vuçiq ka më së shumti vota në zgjedhjet për President të Serbisë, me 59,39 për qind.