Thatësi e madhe në Argjentinë, problem për bujqit
Toka kërcet, përderisa Guillermo Cuitino ec nëpër arën që do të duhej të ishte e gjelbër në këtë periudhë të vitit. Ai kap një bimë të sojës dhe me lehtësi ia këput fletët me duar.
“Thatësia e këtij viti ishte ekstreme”- tha inxhinieri bujqësor këtë javë në fermën ku punon, në Urquiza, qytezë rreth 230 kilometra larg kryeqytetit argjentinas, raporton agjencia “Associated Press”.
Cuitino zakonisht nuk ec nëpër tokë të punuar, por gjithçka është aq e thatë tani, saqë nuk ka absolutisht asgjë për t’u dëmtuar – as farat nuk po rriten.
Kjo skenë përsëritet në ferma në pjesë të ndryshme të Argjentinës, ku të vjelat do të duhej të ishin në kulmin e tyre, por moti i thatë, që ka zgjatur me muaj, ka shkaktuar shterpësi. Fermerët po kanë vështirësi për ta kaluar muajin dhe rënia e konsiderueshme e të hyrave të pritshme nga prodhimet e eksportuara bujqësore do të jetë goditje e rëndë ndaj ekonomisë së paqëndrueshme të Argjentinës.
“Kjo thatësi është e pashembullt”- tha bujku Martin Surla, duke qëndruar në mesin e fushave me pluhur afër San Antoni de Areco-s. “Është danteske. Askush nuk ka parë diçka si kjo”- shtoi ai.
Situata është veçanërisht e rëndë, për shkak se Argjentina tashmë ka pasur mot jashtëzakonisht të thatë për dy vjet.
“Dy vitet e fundit ishin të këqija, por gjithmonë kishim ca reshje shiu, të cilat na mundësonin që t’ia dilnim disi”- tha Cuitino.
Edhe ekspertët e kanë vështirë që ta përshkruajnë me fjalë këtë krizë.
“Nuk ka fjalë për ta përshkruar ndikimin e një fushate të shënuar me rekorde historike të të gjitha kohëve: mungesë e reshjeve të shiut për vitin e tretë rresht në verë, valë të vazhdueshme të vapës deri në mars dhe bryma bujqësore deri në fund të tetorit të vitit 2022 dhe nga shkurti i vitit 2023”- thuhet në një raport të Bordit të Rosarios për Tregti, në të cilin janë zvogëluar në masë të konsiderueshme vlerësimet për të korrat e këtij viti.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, Argjentina e ka pasur verën më të nxehtë që nga viti 1961. Në kryeqytetin Buenos Aires, banorët janë ballafaquar me verën më të nxehtë që nga koha e fillimit të regjistrimit të temperaturave, më 1906.