Tërheqja e pjesshme e SHBA-së: Zvicra e zgjat misionin në KFOR, Kroacia gati ta rrisë numrin e trupave
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre ushtarak në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, si pjesë e një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Sipas raportimeve, aleatët evropianë kanë nisur tashmë diskutimet për mënyrën se si mund të mbushin boshllëkun që mund të krijohet nga një tërheqje e pjesshme e forcave amerikane.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, zbuloi javën e kaluar se janë duke u hartuar plane për zvogëlimin e përmasave të misionit KFOR në Kosovë.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se numri i ushtarëve në Kosovë do të reduktohet nga rreth 4.700 sa është aktualisht, në nivelin që ekzistonte para vitit 2023, respektivisht në rreth 3.000 deri në 3.500 pjesëtarë.
Kroacia e gatshme të rrisë praninë në KFOR
Pavarësisht planit për reduktimin e forcave, mediat kroate raportojnë se Zagrebi është i gatshëm të rrisë numrin e ushtarëve të tij në kuadër të KFOR-it.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, tha se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, ndërsa theksoi se SHBA-ja nuk do të largohet plotësisht nga Evropa.
“Amerikanët nuk do të largohen plotësisht nga Evropa; një pjesë e forcave do të mbetet. Por ne duhet ta mbushim pjesën që do të largohet me forcat tona, me pjesëtarët e Forcave tona të Armatosura. Kjo varet nga mënyra, vendi dhe misioni ku do të angazhohen. Natyrisht, ne jemi më të interesuar për KFOR-in, për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë”, deklaroi Anušić.
Ai shtoi se Evropa është paralajmëruar me kohë për nevojën e rritjes së kontributit të saj në sigurinë rajonale.
“Amerika po e zhvendos vëmendjen e saj diku tjetër, gjë që është e drejtë legjitime e saj. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se po largohet plotësisht nga Evropa. Prania e saj vetëm sa po zvogëlohet. Ende nuk e dimë në çfarë mase do të ndodhë kjo”, tha ministri kroat.
Zvicra zgjat misionin në Kosovë deri në vitin 2029
Në të njëjtën kohë, Parlamenti i Zvicrës ka vendosur të zgjasë mandatin e pjesëmarrjes së Ushtrisë Zvicerane në Kosovë deri në fund të vitit 2029.
Këshilli Kombëtar e miratoi vendimin me 129 vota pro dhe 61 kundër, ndërsa të gjitha grupet parlamentare, përveç Partisë Popullore Zvicerane (SVP), mbështetën vazhdimin e angazhimit në KFOR.
Parlamenti gjithashtu i dha Këshillit Federal kompetenca shtesë për të rritur numrin e trupave në rast se situata e sigurisë në Kosovë e kërkon një gjë të tillë.
Deputetët zviceranë argumentuan se zhvillimet në terren vazhdojnë të mbeten shqetësuese.
“Veriu i Kosovës mbetet i brishtë, ndërsa dezinformimi rus është në rritje. Destabilizimi i rajonit do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për vendin tonë”, deklaroi deputetja Isabelle Chappuis.
Ndërkaq, deputetja Maja Riniker theksoi se vazhdimi i misionit në Kosovë është në interes të sigurisë kombëtare dhe politikës migratore të Zvicrës.
Sipas shumicës së deputetëve, një destabilizim i Ballkanit Perëndimor do të rriste ndjeshëm presionin migrator ndaj Zvicrës, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e pranisë në kuadër të KFOR-it.