Tenderi 8-milionësh i ministrisë së Rozeta Hajdarit me shumë dyshime për korrupsion, MINT s'reagon edhe pse APK kërkoi anulimin e kontratës - NACIONALE

Tenderi 8-milionësh i ministrisë së Rozeta Hajdarit me shumë dyshime për korrupsion, MINT s'reagon edhe pse APK kërkoi anulimin e kontratës

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Një tender i kundërligjshëm ka ngritur dyshime për aferë korruptive brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e udhëhequr nga ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari.

Autor: Oqean Dërmaku

Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi i infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm në Drenas”, të shpallur më 20 gusht të vitit 2024, ku fitues i këtij tenderi me vlerë rreth 8 milionë euro, ishte shpallur grupi i operatorëve ekonomik, me lider kompaninë “Kema Company”.

Dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ishin ngritur pas një ankese që kishte shkuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.


Kjo për shkak se anëtarja e Komisionit Vlerësues që kishte bërë vlerësimin e ofertave të kompanive për këtë tender, Saxhide Sadiku, përbënte konflikt interesi me fituesin e këtij tenderi, pasi që kishte qenë e punësuar në kompaninë fituese “Kema Company”.

Kjo, sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ishte vërtetuar edhe përmes një rekomandimi që kompania “Kema Company” i kishte bërë Saxhide Sadikut dhe e cila kishte përdorur këtë rekomandim gjatë aplikimit për punë në MINT.

Në rekomandim, kompania “Kema Company” kishte konfirmuar se ka punuar me Saxhide Sadikun që nga viti 2018 dhe vazhdojnë ta angazhojnë si bashkëpunëtore të jashtme.

Në të njëjtën kompani, “Kema Company”, kishte punuar edhe bashkëshorti i Saxhide Sadikut, Dituror Sadiku, i cili kishte punuar në këtë kompani në periudha të ndryshme, por që kishte qenë duke punuar në këtë kompani edhe gjatë kohës kur Komisioni Vlerësues, ku anëtare ishte edhe Saxhide Sadiku, kishte qenë duke bërë vlerësimin e ofertave nga kompanitë për tenderin e MINT.

Pas gjetjeve që kishte bërë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, kishte vendosur që kjo kontratë të anulohej dhe kishte urdhëruar MINT për inicim të procedurës disiplinore ndaj Saxhide Sadiku për shkelje të dispozitave të nenit 24, paragrafi 1 dhe paragrafi 2 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Këto gjetje, APK-ja i kishte proceduar edhe në prokurorinë përkatëse.

Por, në vend që MINT të marrë masa pas vendimit të APK-së, të njëjtit kishin vazhduar me ekzekutimin e pagesave ndaj “Kema Company”.

Një pagesë prej mbi 300 mijë eurove ishte bërë vetëm disa ditë pas vendimit të APK-së, duke neglizhuar totalisht këtë vendim dhe duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

Ky rast përbën shkelje të rënda ligjore ku përgjegjësia bie mbi hierarkinë e MINT, përfshirë këtu ministren në detyrë Rozeta Hajdari, e cila nuk ka reaguar pas vendimit të APK-së, pastaj ndaj Zef Dedajt, i cili është u.d. drejtor i përgjithshëm i KIESA-s (Agjenci e cila vepron nën mbikqyrjen e MINT, ku është e punësuar edhe Saxhide Sadiku), i cili ka lejuar përfshirjen e Saxhide Sadikut në Komisionin Vlerësues duke marrë parasysh rrethanat që përbënin konflikt interesi.

Bazuar në krejt këto veprimet dhe dokumente zyrtare, ky rast përbën konflikt të pastër interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare por edhe shkelje të rëndë të detyrës publike nga disa zyrtarë të MINT dhe KIESA-s.
Përgjegjësia penale mund të rëndojë edhe ndaj Gent Berishës, zyrtar i autorizuar për pagesa, i cili kishte ekzekutuar pagesën prej mbi 300 mijë eurove për “Kema Company”, pas vendimit të APK-së për anulimin e tenderit dhe gjithashtu ndaj Saxhide Sadikut e cila nuk ishte tërhequr nga Komisioni Vlerësues duke parë se ka konflikt interesi me njërin prej ofertuesve, gjë që është obligim ligjor.

Kush është Saxhide Sadiku?

Për informacion, Saxhide Sadiku ishte punësuar në MINT më 24 nëntor të vitit 2023, me një kontratë mbi vepër për 6 muaj, e cila pastaj i ishte vazhduar edhe për 6 muaj të tjerë me kontratën “Angazhimi i një inxhinieri në KIESA”.

Punësimi i Saxhide Sadikut ishte miratuar nga vet Zef Dedaj, atëherë drejtor i përgjithshëm i KIESA-s, pa mandat të rregullt ligjor, i cili kishte pranuar që një punonjëse të një kompanie private, ta punësojë si zyrtare publike pa kaluar filtrat standart të konfliktit të interesit dhe deklarimit të pasurisë.

Pasi ishte hapur tenderi për “Ndërtimin e Infrastrukturës në Parkun Industrial”, një zyrtar prokurorimi kishte kërkuar nga Zef Dedaj emërimin e komisionit për vlerësimin e ofertave dhe Zef Dedaj i kishte propozuar komisionin në krye me Mirsad Simnicës, e ku anëtare ishte edhe Saxhide Sadiku.

Ky rast tregon një rast tjetër skandaloz dhe shkelje flagrante të Ligjit por edhe mos respektim të vendimeve nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, e që i mbetet Prokrurorisë që ta hetojë tutje.

*Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse Gjykata vërteton se janë fajtor me vendim të formës së prerë!



Lajme të ngjashme