Tenderët e dyshimtë: Nesër Kuvendi diskuton për kontratat njëburimore - NACIONALE

Tenderët e dyshimtë: Nesër Kuvendi diskuton për kontratat njëburimore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës nesër do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme.

Aty pritet të diskutohen tenderët një-burimorë që vlerësohen si të dyshimtë dhe me mundësi korrupsioni.

Seanca është kërkuar nga partitë në opozitë, të cilat pas mbledhjes së Kryesisë patën kritika për këtë metodë që po e shfrytëzon qeveria Kurti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, deklaronte se këta tenderë janë burim i madh i korrupsionit.

“Më kërkesë të deputetet Hykmete Bajrami dhe me mbështetjen e 38 deputetëve, u kërkua që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në lidhje me tenderët njëburimorë, që i ka dhënë Qeveria dhe është thyerje e çdo rekordi. Tenderët njëburimorë konsiderohen si një burim i madh korrupsioni. 350 tenderë njëburimorë janë dhënë deri tash. Ne konsiderojmë që kjo është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend dhe do të iniciojmë edhe formimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Arben Gashi.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, bëri të ditur se do të shikojnë mundësitë për komision hetimor.

“Është jashtëzakonisht shumë shqetësuese. Si GP i PDK-së kemi paralajmëruar formimin e një komisioni hetimor. Vetëm në vitin 2023 janë 544 kontrata njëburimore, janë në vlerë 116 milionë euro, nëse këtu i marrim edhe vitet paraprake, jemi të bindur që nëse marrin mandatin e te gjitha qeverive, nuk do të arrijnë shumë që janë nënshkruar nga kjo qeveri. Janë kontrata të burimit të korrupsionit. E dëmtojnë buxhetin e Kosovës dhe kur e sheh numrin e tyre kaq të madhe, është shqetësues. Do ta iniciojmë edhe një komision hetimor për kontrata njëburimore”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se numri i madh i nënshkrimit të kontratave njëburimore duhet të adresohet te Prokuroria e Kosovës.

“Ne si opozitë kemi dhënë mbështetje për seancën e jashtëzakonshme për kontrata njëburimore. Një numër i madh i këtyre kontratave duhet t’i nënshtrohen një hetimi serioz dhe një adresimi te Prokuroria e Kosovës”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme