Protestë, grevë, 700 mijë euro humbje: Ku mbeti mburrja e pushtetit me ndërmarrjet publike? - NACIONALE

Protestë, grevë, 700 mijë euro humbje: Ku mbeti mburrja e pushtetit me ndërmarrjet publike?

3 javë më parë

nga NACIONALE

Mburrjet e pushtetit me ndërmarrjet publike janë bërë gati të zakonshme, por edhe më të shpeshta janë pakënaqësitë e punëtorëve që punojnë për këto ndërmarrje. Mosplotësimi i kushteve të punës, vonesat me pagat mujore e të tjera, janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen punëtorët e Trepçës, Telekomit të Kosovës dhe Postës së Kosovës.

Sindikata e punëtorëve të Trepçës, Telekomit dhe Postës gjatë javës që po e lëmë pas, ka njoftuar për pakënaqësitë që kanë.

Sindikata e punëtorëve të Trepçës kanë thënë se për shkak të problemeve finaciare, mungojnë aktivitetet e punës.

Përfaqësuesi i Sindikatës së ‘Trepçës’, Gani Osmani, në një deklarim për RTK, kanë thënë se për më shumë së një muaj nuk po eksploatohen xehe për shkak të mungesës së eksplozivit.

Nga ana tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Trepçës ka thënë se vetëm gjatë muajit shkurt janë shënuar 700 mijë euro humbje.

Minatorët e Trepçës kishin protestuar edhe për shkak të mosekzekutimit të pagave.

Ndërkaq, me probleme me paga po ballafaqohen edhe punëtorët e Telekomit të Kosovës.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje protestuan për shkak të mosekzuktimit të pagave.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Postes dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Lami Balaj, para katër ditëve, ka thënë se rreth 2 mijë punëtorë kanë mbetur pa paga.

Ata kanë paralajmëruar edhe greva nëse një situatë e tillë vazhdon. Por, kjo duket të jetë ndërprerë përkohësisht pasi Gjykata Komerciale ka ftuar palët në një seancë.

"Sipas asaj që neve kemi shpalosur nga protesta e datës 02.04.2024, deklarimet e dhëna në hapësirat mediale si dhe nga letër shkëmbimet fizike me institucioneve relevante, ku ne i kemi informuar opinionin publik mbi gjendjen e renduar të të punësuarve të Telekomit të Kosovës, dhe kërkuar veprim urgjent rreth gjetjes se e një rruge zgjidhje të mundshme rreth debllokimit të llogarive bankare të cilat ishin bllokuar nga data 29.02.2024 e po vazhdojnë të mbahen të bllokuara edhe sot e kësaj dite. Duke vepruar karshi kërkesave tona me datë 02.04.2024 nga Gjykatën Komerciale e Kosovës Telekomi i Kosovës Sh.A., ka pranuar letër thirrjen për seancën gjyqësore e cila është caktuar të mbahet me datë 12.04.2024, dhe me të cilin veprim mundësohet që tash ky proces gjyqësor të merr kahje tjetër", thuhet në njoftim.

Situata pak më ndryshe është me Postën e Kosovës.

Punëtorët e Postës së Kosovës që nga 3 marsi kanë filluar grevën.

Greva do të mbahet secilën ditë nga një orë, megjithatë Sindikata e Punëtorëve ka paralajmëruar radikalizim të masave.

Në vendimin që e ka siguruar Nacionale, Sindikata e Punëtorëve të Postës ka kërkuar rritje të pagave, përmirësim të kushteve të punës, pagesën e shujtës e sigurime shëndetësore.

Ata kanë theksuar se pavarësisht që kanë pasur mirëkuptim për gjendjen e rëndë të Postës, punësimet nga jashtë nuk janë ndalur.

Niveli i ulët i pagave, kushtet jo të mira të punës, sigurimi shëndetësor, dhe shujta ditore janë disa nga kërkesat të cilat nuk mund të presin në pafundësi. Kërkesat e mësipërme nuk presin më edhe për faktin se përkundër krizës financiare, ndërmarrja jonë ka vazhduar me shpalljen e konkursve të reja të jashtme dhe ka bërë punësime të vazhdueshme. Ky zhvillim duket në shpërputhje me mirëkuptimin tonë që t’u jeper përgjigje kërkesave të sipërtheksuara.” – thuhet në vendimin që e ka siguruar Nacionale.

Përkundër kërkesave tona të vazhdueshme, menaxhmenti i ndërmarrjes sonë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për realizimin e kërkesave të vazhdueshme të cilat i kemi adresuar sidomos për pozitat postier dhe për pagesat e kujdestarive për sportelistët dhe të gjitha kërkesat jetike.” – thuhet ndër të tjera.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës, në vazhdimësi ka ndarë mjete financiare për operimin e këtyre ndërmarrjeve.

Gjithashtu, pushteti edhe mburrej kur gjatë një periudhe të caktuar këto ndërmarrje nuk operonin me humbje.

Kur ndalohet hajnia dhe keqpërdorimet ndërmarrjet publike këndellën.” – ishin disa nga lavdërimet e Vetëvendosjes për këto ndërmarrje.

Lajme të ngjashme