Të varfër e të diskriminuar, jeta e vështirë e banorëve të Plemetinit - NACIONALE

Të varfër e të diskriminuar, jeta e vështirë e banorëve të Plemetinit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Jeta e tyre është e vështirë për shkak të varfërisë. Edhe vendi ku banojnë, nuk është aspak i duhur për një jetë të dinjitetshme. Fshati Plemetin i komunës së Obiliqit, i banuar kryesisht me romë dhe ashkali, në gjirin e tij ka histori të trishta të jetës ndërmjet varfërisë e diskriminimit.

Ergin dhe Hamide Selimin i takova rastësisht përderisa isha duke ecur së bashku me Elmedinin, 11 vjeçar, i cili po tentonte të më tregonte vendin ku jeton. Hapësirën e vjetër, në mes të bërllokut e erës së kanalizimit, Elmedini e quan ‘shtëpi’, ndonëse asnjë parametër normal të saj s'e përmbush.

Derisa Elmedini po shpjegonte diçka, u afrua Ergini duke më pyetur se kush jam dhe se çfarë po doja aty.

Ergini, një burrë 35 vjeç, ishte në siklet nga prezenca e një gazetareje. Gjatë bisedës e kuptova se ai kishte hatërmbetje edhe me shtetin, të cilin e fajësonte për gjendjen e keqe që e kishte.

Të mërzitur nga gazetarët që herë pas here i vizitojnë, nëna e Elmedinit, më luti të mos e fotografoja atë dhe fëmijët e saj.

Mos më slikat” - ishte kërkesa e përsëritur shpesh nga ajo.

Ajo ankohet se shumë herë fotografitë e tyre përfunduan në rrjete sociale, ndonëse u shkrepën pa dëshirën e tyre.

“Unë ta jepi intervistën, foli për çkado që m’vet, veç mos ma fotografo f'tyrën, mos më slikat (fotografo), edhe zanin ndërroma”, më tha ajo.

Nga Lumturija e mora lejen për ta ‘shfrytëzuar’ Elmedinin si udhërrëfyes gjatë kohës sa po qëndroja në këtë fshat të Obiliqit.

Një shëtitje e një ‘banoreje’ të huaj si puna ime, bie në sy menjëherë në lagje.

Për këtë arsye, Ergini dhe Hamidja, ngarendas mu afruan me dëshirën për të rrëfyer vuajtjet e tyre. Normalisht, në prapavijën e dëshirës për të treguar hallet e tyre, qëndronte shpresa e ndihmës.

“Na kanë gjujtë qetu si qentë”, filloj rrëfimin e saj Hamidja.

Nevria, një kalimtare e rastit, e miratoi atë që doli nga goja e Hamides.

“Po, po, prej se kem ardh këtu... n'fillim askush nuk është kujdesë për neve, bash si qentë na kan lonë, na kanë mbledhë e na kan gjujtë këtu”, tha Nevria, derisa ecte rrugës së saj, shkruan Gazeta Nacionale.

Jetesa brenda këtyre banesave kolektive është e pamundur, për shkak të rrjedhjes se madhe të ujit që ndodh brenda mureve. Por edhe kanalizimi është çështje problematike, pasi që përzihet jo rrallëherë me ujin e pijes. Kjo i obligon banorët e varfër të Plemetinit të blejnë ujë për pije, i cili në këto anë është ende 'luks'.

“Unë që më shumë se 3 vite blej ujë të pijës, nuk muna me i lanë fëmijtë e mi me e pi atë ujë. Nëse e bëjmë krahasimin mes ujit që e blej edhe çka del këtu prej çeshmes, munesh me vërejtë. Edhe erën e ka të rëndë, se është ujë që vjen prej kanalizimit. Në kuzhinë s'kam ujë, veç në banjo”, tha Ergini, banor i banesave kolektive në Plemetin.

Përderisa më shpjegonin para banesave, ata duket se e kuptuan 'mosbesimin’ tim prej gazetareje. Andaj, më ftuan të hyj në banesën e çiftit Selimi për të parë me sytë e mi jetën e vështirë që bëjnë.

Ishte një hapësirë e vogël, jo e mjaftueshme për një familje 5 anëtarëshe – ishte mendimi i parë që rrufeshëm më erdhi në kokë. Një sallon së bashku me kuzhinë, jo më shumë se 3 metra e gjerë dhe një dhomë gjumi për 5 anëtarët e familjes ishte e gjithë çfarë kishte në posedim çifti Selimi.

Hamidja më dërgoi drejt në dhomën e gjumit për të më treguar së nga lagështia e madhe e mureve, që ka ardhur si pasojë e rrjedhjes disavjeçare të ujit, e tërë dhoma është mykur.

“Djalin e vogël e kam pasë para 2 muajve me temperaturë të madhe, mbi 40, për pak u kanë tu m’shku djali. Kur jem shku te mjeku, ka thanë që prej mykut e lagështisë e ka. Qe, mundesh me pa edhe vetë, verë e dimër e kem kështu. Lyje sa t’dush, se ka marrë myk prej mrena, ngjyra përmi nuk e hjek”, tha ajo me dëshpërim.

Ndërsa Ergini, më drejtoi kah një hapësirë tjetër, e ku fatkeqësisht, myku ishte edhe më i theksuar.

“Këtu në banjo pikin gypat gjithë kohën, muri qysh po e sheh edhe vetë krejt zi prej mykut. Na nuk e dimë çka me bo. Krejt banesën teme edhe të nenës e kisha dhanë, veç me m'largu prej këtu, se ma s’jetohet. Po s’po kem ku me shku. Ni barakë me ma dhanë, ni shatorr, dal e jetoj qaty ma përpara”, thotë Ergini.

Gjatë kohës sa Ergini më tregonte se si tualeti është i pashfrytëzueshëm, tymi filloi të dilte nga disa gypa të ujit, e për të kundërmuar pastaj e gjithë banesa e vogël e familjes Selimi.

Ergini dhe Hamidja vrapuan për të marrë një leckë për të mbyllur vrimat se nga po vinte ky tym.

Ishte goxha e pakuptimtë të shihje teksa gypat e destinuar për ujë, po sillnin tym.

Sipas Erginit, që punon si ndërtimtar, tymi po vinte pikërisht për arsyen e ndërtimit jo të duhur. Ai më tregon se ndërtuesit nuk kanë lënë hapësirë për oxhaqe, ndërsa banorët i përdorin gypat e ventilimit në vend të oxhaqeve.

“Prej fillimit kemi pasë problem, rryma si rrymë kur vjen, qe ku e kem KEK-un, a veç një fazë kem rrymë, për atë arsye para do vjetve u pat kallë krejt ndërtesa, prej rrymës së dobët. Gypat e ujit s’janë mirë, qysh e pe edhe vetë, pikin tërë kohën. S’ka oxhak, na me rrymë s’mundem mu nxe se veç një fazë e kemi, si t ‘ngarkohet, kallet trafo. Na është dashtë me gjetë zgjidhje, jemi tu i përdorë gypat e ventilimit që sa vjet në vend të oxhaqeve”, tha ai.

Por, për Hamiden nuk ishte hall i madh energjia e dobët në krahasim me rrjedhjen e ujit në kuzhinë, e cila pastaj bëhet barrë për ta pastruar rregullisht.

“Sa herë jam çu me ujë krejt e musht këtu, s’u kan veç ujë, po u kanë ujë i kanalizimit, i flliqtë, era s’u hjekke me javë. Laj e fshij sa t’dush kur krejt kanalizimi po t’pikë mrena. Burri është mundu me rregullu pak, bile mos me na pikë mrenda, po me dalë jashtë, se me nalë s'kemi mujtë”, thotë Hamidja.

Barra e shtëpisë i bie Hamides, ashtu siç e thotë vetë edhe ajo. Gjatë tërë ditës ajo duhet të qëndrojë me “rub” në dorë për të pastruar ujin, e për të ‘ajrosur’ banesën e saj nga tymi.

“Unë tan' ditën rri n’kamë qetu, tu këqyr se ku po pikë, tu nga me marrë rubin me fshi se nëse s'e fshin meniher, s’ki çka hin këtu prej erës”, tha ajo.

Një hall tjetër për familjen Selimi është edhe sigurimi i ushqimit.

Për ta ka punë vetëm gjatë verës dhe ditëve me diell, por jo edhe në stinën e dimrit.

Hamidja, kryefamiljarja, nuk punon, pasi sipas saj, i mungon shkollimi i përshtatshëm. Megjithatë, ajo më tregon se herë pas here ka punuar si mirëmbajtëse, për të cilën punë është paguar 150 euro.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Ergini, punon në ndërtimtari.

“Na punojmë veç verës, e dimrit këqyrim. Po ia dalim diqysh, kur kem me hongër, hajmë, e ditëve tjera kur s’kemi, as vetë nuk e dimë çka me bo e qysh me siguru nji kafshatë. S’po jam veç unë, po kam gru e tre fëmijë. Edhe unë si krejt duhna me këqyr me dal dikun jashtë. Besom, nëse e kisha pasë rrogën 400 euro jo ma shumë se s’po këqyri me kanë drejtor e me pasë 1000 euro, kurrë nuk isha largu prej këtu. Pak gruja, pak unë me pasë punu, sa me pasë me hangër për veti e për fëmjë. Po unë s’jam tu pa zgjidhje tjetër, veç me dalë jashtë, e s'e la pa dalë. Qysh dal s'e di, po s’rri këtu”, tha Ergini me mllef.

Ndërsa shpresë në Qeverinë dhe komunën e Obiliqit nuk kanë më. Sipas tyre, politikanët vijnë veç për vota dhe në kohë zgjedhjesh. Asnjëherë nuk janë interesuar për të pyetur për kushtet e tyre.

“Qite qeto qite, s’ma nin nese m’njohin, ata vijnë këtu veç kur kanë nevojë për vota, me kryetar komune, me kryeministër. Që sa u bo Albini, kurrë s’ka ardhë me na vizitu, a kur dojnë vota krejt i ki qetu. Mas zgjedhjeve nuk vijnë te na po shkojnë këqyre qatje ma poshtë ku jetojnë serbët. Te ta shkojnë me hangër e me pi e me këqyr qysh po rrnojnë. Ka kalojnë knej, e kthejnë kryet për mos më na pa”, përfundoi tregimin e tij Ergini, nën mllef e zemërim.

Pasi u përshëndeta me Hamiden dhe Erginin, vazhdova së bashku me Elmedinin për ta shikuar lagjen. Gjersa po ecnim, bisedonim për jetën e tij në Plemetin, shkollën e shoqërinë që ka.

Ëndrra e tij është t’i shërbejë Kosovës si pjesëtar i Policisë, e cila për të duket të jetë një mundësi arratisjeje nga jeta e vështirë në Plemetin.

Nga larg, Ergini më bëri një pyetje.

“Ku ki me qit këtë intervistë, a thu a mundesh najsen me bo që me ardhë najkush për me na pa ku po jetojmë”, tha ai.

I tregova për vendin ku do të botohej teksti, gjersa ai dëgjonte me vëmendje – ndonëse nuk u përgjigja drejtpërdrejt në pjesën e dytë të pyetjes.

“Ani motër, veç mos harro, nëse askush nuk bon diçka, qeto ndërtesa edhe 3 vjet kanë me u shembë, se uji ia ka nisë me e hangër betonin. Kur të vdes dikush, mos të vijnë as politikanët e as gazetarët, se na me vjet jem tu ba kërkesa e ankesa në komunën e Obiliqit”, më tha Ergini, teksa më zgjati dorën për t’u përshëndetur.

U ndamë me Elmedinin, ai për tu kthyer tek bashkëmoshatarët e tij që e prisnin me padurim për ta pyetur se çka biseduam tërë këtë kohë, e unë drejt redaksisë së Nacionales, për të vazhduar punën e zakonshme.

Lajme të ngjashme