“Të solidarizohemi me njëri-tjetrin”: Liderët politikë urojnë për festen e Kurban Bajramit
Liderët institucionalë dhe politikë të vendit kanë uruar qytetarët për festen e Kurban Bajramit.
Duke treguar për mesazhet e kësaj feste, ata kanë bërë me dije se Kurban Bajrami shpërfaqë shpirtin e solidaritetit dhe të sakrificës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se kjo festë është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve.
Shefja e shtetit ka uruar që kjo festë të jetë një burim frymëzimi.
“Kjo festë shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, na kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh. Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”, është shprehur presidentja Osmani.
Qytetarët janë uruar edhe nga liderët e partive politike.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin.
Ai ka vlerësuar se kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo festë është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë.
“Gëzuar e me fat Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë! Pranë familjes, pranë të afërmve e më të dashurve tanë, e festojmë këtë ditë duke qenë zemërgjerë e duke shtuar solidaritetin. Kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri. Andaj ajo është gjithashtu ftesë për secilën e secilin që të angazhohet për barazinë si fill të shoqërisë, e ku begatinë dhe mirëqenien i gëzojnë të gjithë. Uroj që kjo ditë t'ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot!”, ka shkruar Kurti.
Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka kërkuar që të ketë solidaritet në mes të njerëzve.
“Gëzuar të gjithëve festën e Kurban Bajramit! Le të solidarizohemi me njëri-tjetrin, duke i dhënë mbështetje atyre që kanë me shumë nevojë. Paqe në shpirt, shëndet të mirë dhe shumë gëzime në familjet tuaja!”, ka shkruar Hamza në profili e tij në “Faceboo”.
Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vazhduar traditën e shpërndarjes së ëmbëlsirave në ditën e Bajramit për Policinë e Kosovës.
Ai sot këtë e ka bërë se bashku me nënën e tij.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ai ka uruar të gjithë ata që kanë sakrifikuar për vendin.
“Me nanën Rukë e nisëm ditën me urim për Policinë e Kosovës. Uroj nga zemra familjet e dëshmorëve dhe martirëve, ushtarët tanë, personelin shëndetësor, dhe të gjithë ata që janë sot në detyrë, në shërbim të vendit”, ka shkruar Haradinaj.