Të shtëna në një qendër tregtare në Teksas, një i vrarë e tre të plagosur
Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat në një qendër tregtare në El Paso të Teksasit.
Policia ka thënë se dy të dyshuar janë në ndalim dhe se një është penguar në vendin e ngjarjes nga një polic që ishte jashtë detyrës. Autoritetet nuk janë duke kërkuar të dyshuar të tjerë, raporton televizioni BBC.
Incidenti ndodhi të mërkurën në qendrën tregtare, “Cielo Vista Mall”. Ajo ndodhet afër një dyqani të kompanisë “Walmart”, ku 23 persona ishin vrarë në një sulm racist më 2019.
Të mërkurën, komandanti i policisë në El Paso, Peter Pacillas, tha se policët jashtë detyrës, duke punuar me sigurimin në qendrën tregtare, reaguan brenda tre minutave dhe arrestuan një të dyshuar pa shtënë me asnjë armë.
Nuk ka hollësi për arrestimin e të dyshuarit tjetër. I vrari dhe të plagosurit ishin burra, njoftoi komandanti i policisë. Thuhet se dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Para një jave, sulmuesi i rastit të vitit 2019 në El Paso, Patrick Crusius, u deklarua fajtor për 90 akuza, përfshirë krimet e urrejtjes dhe shkeljet në lidhje me përdorimin e armëve të zjarrit.
Të hënën, tre studentë u vranë dhe pesë të tjerë u lënduan, pasi një person i armatosur hapi zjarr në kampusin e Universitetit Shtetëror të Miçigenit.
