Të gjithë kandidatët për deputetë e kalojnë verifikimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës - NACIONALE

Të gjithë kandidatët për deputetë e kalojnë verifikimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të gjithë kandidatët për deputetë nga të gjitha partitë e kanë kaluar verifikimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili “është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, tha Elezi për Nacionalen.

“Sipas KQZ-së, gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024, 23:59) kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë. Deri më tani, KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputet, ndërsa janë në pritje edhe 17 subjekte politike me 674 kandidatë.”, tha ai.

Lajme të ngjashme