Të dyshuarit në paraburgim: Krejt çka dihet për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë? - NACIONALE

Të dyshuarit në paraburgim: Krejt çka dihet për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një 18-vjeçar ka vdekur në Podujevë pas rrahjes brutale nga dy persona të mitur. Ky rast ka tronditur vendin. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim, teksa për rastin kanë folur edhe axha dhe motra e 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahut. Çka dihet deri më tani për këtë rast tragjik?

Sipas informatave zyrtare që ka bërë Prokuroria Themelore e Prishtinës, pas një përleshje fizike, dy të dyshuar që janë të mitur e kanë goditur me një shkop viktimën duke i shkaktuar lëndime për vdekje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tetnativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.” – kanë bërë të ditur nga Prokuroria.

Dy të dyshuarve i është caktuar masa e paraburgimit

“Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.” – ka njoftuar prokuroria.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka incuar rastin si vrasje e rëndë.

“VRASJE E RËNDË Rr. Drenica, Podujevë 14.01.2024-13:00. Lidhur me rastin, me 20.01.2024 viktima mashkull kosovar i cili ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke hetuar.” – thuhet në raportin e PK-së.

Për këtë rast ka folur edhe axha i viktimës i cili ka thënë se 18-vjeçari ka qenë jetim.

Ai ka treguar se 18-vjeçari fillimisht është goditur me veturë pastaj me mjete të rënda.

"Unë jam axha i tij. Lulzimi si 18 vjeçar ka qenë puntorë, ka qenë jetim. Pa dy prindtë. Prej dorës kruiminele shqiptare. Maspari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me stupca bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë.” – ka thënë ai

Pas rastit, motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike.

"Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin.” – ka thënë ajo.

Në anë tjetër, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur ngushëllime për vrasjen e Lulzim Fejzullahut.

“Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, Lulzim Fejzullahu i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” – ka shkruar ai në Facebook.

Për këtë rast kanë reaguar edhe politikanë e qytetarë të shumtë të cilët kanë kërkuar drejtësi për Lulzimin.

Lajme të ngjashme