Familja që po udhëtonte për në Gjermani, u kthye prapa me forcë: Sveçla konfirmon mbylljen e pikës në Bërnjak
E PËRDITËSUAR 22:03 - Ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas zhvillimeve në piikat kufitare, duke thënë se grupe ekstremistësh të markuar po ndalojnë veturat.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se një familje që po udhëtonte për në Gjermani, është kthyer prapa me forcë.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.” – ka thënë ai.
Tutje, Sveçla po ashtu ka konfirmuar se pika kufitare në Bërnjak është mbyllur për qarkullim.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.
Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”.
E PËRDITËSUAR 22:00 Kryediplomatja Donika Gërvalla ka dhënë detaje nga situata në pikat kufitare, duke thënë se persona të maskuar po ndalojnë veturat me regjistrim gjerman dhe nuk po i lënë të kalojnë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo ka thënë se policia serbe nuk ka reaguar ndaj kësaj.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet.” – ka thënë ajo.
Në fund, Gërvalla ka thënë se pika kufitare në Bërnjak është mbyllur derisa të largohen të maskuarit.
“Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lire”.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se pikat kufitare Jarinë, Bërnjak dhe Merdarë janë të bllokuara për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të MPB-së, në këto tri pika që qojnë për në Serbi thuhet se hyrje-daljet janë të bllokuara për shtetasit me dokumente të Republikës së Kosovës.
Bllokimi ka ardhur pasi që kryetari i të ashtuquajturit Asociacion i qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë, Rasha Rojeviq, kishte thënë se bllokada do të filloi nga ora 18:00.
“Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës.” – ka thënë ai.
Ndërsa, një orë para se të bllokohej kalimi i qytetarëve me dokumente të Kosovës në këto tri pika kufitare me Serbinë, ishte raportuar se është bllokuar rruga pranë pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, nga pjesa serbe.
Sipas Radio Evropës së Lirë, ishin vendosur dy vetura, ku njëra prej tyre ka flamurin serb në dritare, dhe disa persona të tjerë, janë vendosur në mes të rrugës që çon drejt Merdarës.
Gjithashtu në lidhje me këtë ka folur edhe komandanti i kësaj pike kufitare, Ekrem Kolqi, ka thënë se personat janë mbledhur rreth dy kilometra prej pikëkalimit në Merdarë.
“E kemi informatën se rreth 2 kilometra prej pikë- kalimit kufitar (në Merdar), janë vendosë një grumbull i njerëzve edhe aty janë t’u protestu.” – ka thënë ai për Kallxo.com
Tutje, ai ka shtuar:
“Po, veç është numër shumë i vogël (i veturave)”.
Tutje, ai ka thënë se nuk ka pasur shqetësime nga qytetarët që kanë qarkulluar në këtë pikë kufitare.
“Jo absolut. D.m.th është t’u qarkullu veç që është numër shumë i vogël edhe qytetarë të nacionalitetit shqiptar d.m.th nuk ka, shumë pak ka që qarkullojnë. Vetëm këta që qarkullojnë për perëndim- i patëm tash dy vetura me targa gjermane.” – ka thënë ai.