Të bashkuar në nepotizëm: Cilat tema unifikojnë skenën politike në Kosovë?
Uniteti, ky koncept klishe i përdorur tej mase në relievin politik të Kosovës, tradicionalisht tërheq vëmendje të shquar. Jo rrallëherë dëgjojmë fjali si, “duhet të ketë unitet në çështje si kjo” apo “për këtë temë duhet të jemi të unifikuar”, etj.
Një kërkesë krejt të ngjashme, sikurse liderët e mëparshëm, e pati edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi përkujtimor të masakrës së Studimes. Aty, ai shprehu se në kësi raste “duhet të jemi të bashkuar.”
Mirëpo çka në të vërtetë është kjo kërkesë për bashkërendim të veprimit politik, dhe deri në çfarë mase ia doli të realizohet; pra ku dhe për çfarë partitë politike shqiptare ia dolën të unifikohen?
Prapa kësaj kërkese fshihet thirrja për bashkëpunim politik në çështje esenciale, kryesisht tema sikurse dialogu me Serbinë, ose votimi i ndonjë marrëveshjeje të rëndësishme, apo diçka të ngjashme. Por shpesh, ideja e unitetit nuk arriti deri aty – ajo mbeti e zbehtë në kuptimin e një ngjarjeje ceremoniale, krejtësisht jopërmbajtësore.
Historikisht, bashkëpunimi brenda parlamentit të Kosovës nuk është se ishte i bashkërenduar në çështje të dalluara. Ai kufizohej në votim nga ana e opozitës së ndonjë marrëveshjeje shumë të rëndësishme, si për shembull, marrëveshjet ndërkombëtare, ose ajo e shndërrimit të Forcës së Kosovës në ushtri që u votua edhe nga ana e opozitës, atëbotë Vetëvendosjes.
E gjithë lista e projekteve, ku skena politike suksesshëm ia doli të bashkohet, është e shkurtër dhe e mangët, meqenëqë çdoherë dominuan ndarje – madje edhe përballë temave shumë të rëndësishme. Le të kujtojmë, ndarjet e pakapërcyeshme në temën e dialogut me Serbinë, të cilat opozita e asokohshme i pati vendosur.
Në formë të njëjtë, skena politike nuk ia doli të unifikohej as në Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila pati prodhuar tension e kundërshtim të tepërt.
Vlen që të kujtohet, se në të kaluarën, subjekti politik që i ka kontribuar më së tepërmi mungesës së këtij uniteti ka qenë Lëvizja Vetëvendosje. Ajo ka ndjekur një qasje të kritikimit të çdo gjëjeje dhe çdo ngjarjeje – pa kompromis. Duhet të theksohet, se me qasje të ngjashme nuk vepron opozita e tanishme, e cila, duke qenë e udhëhequr nga LDK, PDK, dhe AAK shfaqet më bashkëpunuese – së paku nga sjellja parlamentare e tyre mund të kuptohet kjo.
Kështu, çdo përpjekje për unifikim, përfundoi të jetë përmbajtësisht e dështuar. Në të vërtetë, bashkimi i krerëve të partive politike, ndodh vetëm në ceremoni mortore, siç ishte edhe rasti i djeshëm, kur Kurti, në prani të liderit të opozitës Memli Krasniqi, ftoi për unitet, në mes të një ceremonie përkujtimore të masakrës së Studimes.
Pra, i shumëfoluri unitet, i arritur në rrethana si këto, rezulton të jetë vetëm formal. Ndryshe, bashkimi në çfarëdo agjende përbashkuese për ndonjë çështje madhore, është thuajse i pamundur.
Kësisoj, unifikimi, ndonëse term shumë i njohur në gjuhën politike të Kosovës, rrallëherë ishte arritur suksesshëm për procese të rëndësishme.
Ndërsa, një lloj unifikimi, të gjitha partitë politike në Kosovë ia dolën ta arrijnë në praktika e sjellje të dëmshme. Të gjitha partitë, cila më shumë e cila më pak, ia dolën të unifikohen tek praktikat nepotiste dhe klienteliste.
Rrjedhshëm, të gjitha partitë, përgjatë kohës së tyre në pushtet, adaptuan praktika të ngjashme jo-meritokratike, të afrimit të personave në pozicione pune, mbi bazë të lidhjeve familjare ose partiake.
Kësisoj, qasja e këtyre partive politike – që gjithësecila ka ftuar për unitet – puqet në këtë unitetin e adaptimit të këtyre praktikave, pa dallim. Prandaj pika që i përbashkon këto parti politike, është përpjekja e pafundme për të mos respektuar rregullat e garës meritokratike dhe për gllabëru ofiqe politike në emër të përkrahësve të tyre.
Partitë në Kosovë, duan apo nuk duan, këto praktika korruptive i unifikojnë. Vështruar nga jashtë, në mes tyre mbetet shumë pak për t’u dalluar. Ato janë tashmë të unifikuara në përpjekjen për të gjetur kushërinj dhe bashkëpartiakë të gatshëm për vende pune, në kushte të dyshimta e rrethana jomeritokratike.
Pra, partitë politike në Kosovë janë të unifikuara në atë që nuk do të duhej të ishin, ndërsa nuk janë aspak të unifikuara në tema ku do të duhej të ishin. Të bashkuara në praktikat korruptive, të ndara në procese jetike për vendin.