Të akuzuarit për tragjedinë e Gllogjanit dalin para Gjykatës: Deklarohen të pafajshëm
Të akuzuarit për vrasjen në Gllogjan që kishte ndodhur në vitin 2021, ku të vdekur kishin mbetur tre persona, dy prej tyre fëmijë.
Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, janë të akuzuar për këtë vrasje. Ata këtë të enjëte nuk e pranuan fajësinë për veprën.
Seanca është duke vazhduar, ekipi i Nacionalës po e përvjellë nga afër këtë shqyrtim gjyqësor.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me datë 5 maj 2023, ngarkon të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, se me datën 26 nëntor 2021, rreth orës 18:58 minuta në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.
Në aktakuzë thuhet se, pasi që paraprakisht ata kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi dhe duke e ditur kohën e saktë të arritjes së autobusit “Erblini”, nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit në turnin e fundit, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G., me nxënës dhe pasagjerë në të.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot merr pushkën automatike AK-47, prodhim shqiptar të kalibrit 7.62x39mm dhe niset në këmbë deri tek vendi i ngjarjes, në krahun e djathtë të rrugës dhe me të vërejtur dritat e autobusit në fjalë, del në mes të rrugës i kthyer më shpinë kah autobusi që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndaloj, bënë sikur është i dehur dhe kur shoferi fillimisht e sinjalizon me drita të gjata e pastaj edhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kastriot në distancë prej rreth 6 metrash kthehet në drejtimin e autobusit dhe merr shënjestër shoferin e autobusit tani të ndjerin G.Gj. dhe e godet për vdekje, po ashtu godet për vdekje dhe L.H 17 vjeçar, dhe G.M 17 vjeçare, si dhe i shkakton lëndime të rënda trupore F.T.
Tutje thuhet se i pandehuri Kastriot ka rrezikuar jetën e pasagjerëve tjerë: B.H., A.B., A.Z., B.M., dhe E.O, të cilët ishin në ato momente prezentë në autobus, dhe më pas i njëjti kalon nga krahu i majtë i autobusit, i cili kishte dalë jashtë rrugës, dhe vazhdon në fshatin Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik dhe merr rrugën e kthimit pa u hetuar për në shtëpi dhe pastaj shkatërrojnë armën.
Me tej në aktakuzë thuhet se, kjo vrasje kishte ardhur si hakmarrje për shkak të vetëvrasjes së H.M. e cila kishte ndodhur me datën 14 qershor 2020, për të cilin akt familja Mehmetaj e kanë fajësuar tani të ndjerin G.Gj.
Për këto veprime prokuroria ata i ngarkon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.