Tallja nërsy e Gërvallës me publikun rreth KiE-së: “Dhelpra s’e kapi rrushin, tha qenka e papjekur”, “Testuese e durimit tonë” - NACIONALE

Tallja nërsy e Gërvallës me publikun rreth KiE-së: “Dhelpra s’e kapi rrushin, tha qenka e papjekur”, “Testuese e durimit tonë”

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

“S’e kishim objektiv anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit”.

Kjo deklaratë e Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, pas lënies jashtë agjende të Kosovës në Këshillin e Ministrave të KiE-së në fund të muajit maj, ra veshëve të publikut porsi një tallje me mendjen e shëndoshë të gjithësecilit.

Shampanja që gufonin, gota që cakërroheshin, fytyra të gëzuara e festime në Strasburg të mbuluara me një-mijë-e-një-kamera, e nga ku u prodhuan pafund postime “suksesi të paprecedentë të politikë së jashtme” në rrjete sociale nga krejt kasta politike; krejt këto ranë në baltë.

“Në planin tonë gjithçka që ndodh para majit të vitit të ardhshëm është brenda kornizave kohore të cilat i shohim të cilat i shohim si objektivi për anëtarësimin tonë në KiE”, tha ajo për “Telegrafin” ditë më parë.

Filozofi dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Afrim Kasolli, i kthehet fillimisht një shembulli të urtisë popullore për të përkthyer këtë (pa)logjikë të Gërvallës:

“Një fjalë e urtë popullore thotë se ‘kur dhelpra nuk ia doli ta kap rrushin tha qenka i papjekur’”.

Gazetari Lirim Mehmetaj figurën e kryediplomates më kontraverzve – argumentativisht, edhe më jokompetente – që qytetarit kososovar i është servuar, e sheh veçse si dikush në funksion të kryeministrit Albin Kurtit për “testues të durimit të qytetarëve”:

“Donika Gërvalla për Albin Kurtin është shndërruar në testues të durimit të qytetarëve”.

“Kur njerëzit durojnë deklarime të tilla të Gërvalles, Kurti e di që mund të vazhdojë një shpjegim të tillë të përçudnuar, kur Gërvalla protestohet në masë, siç ka ndodhur në të kaluarën në raste të ndryshme, atëherë Kurti nuk e përcjell dhe ne e trajtojmë vetëm si një deklarim i marrë i radhës nga jo kompetentja dhe prodhuesja e ‘meme’-ve Donika Gërvalla”, tha Mehmetaj në një përgjigje për Nacionalen.

Kasolli, në këtë linjë, deklarimet e fundit të Gërvallës i sheh veçse si “racionalizim psikologjik për të mbuluar këtë dështim diplomatik dhe për t’i qetësuar ndjekësit e partisë në pushtet mbi lëshimet e bëra pikërisht në funksion të anëtarësimit të plotë”.

Mehmetaj i kthehet arsyes themelore pse, në fakt, dështoi anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës: kushtëzimit të procesimit të aplikimit në KiE me dërgimin e draft-Statutit të BE-së për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Pse? Sepse “Kurti ia ka lidhur Kosovës të ardhmen nyje me marrëveshjen e tmerrshme që e ka nënshkruar në Bruksel e Ohër”, na thotë Mehmetaj.

“Aty bëhet e qartë, tekstualisht, se çdo lëvizje në drejtim të anëtarësimeve të reja ndërkombëtare varet nga niveli i zbatimit të marrëveshjes në terren. Problemi është se Kurti ‘ka gjetur’ një mënyrë të çuditshme të operimit ku edhe i zbaton nenet e dëmshme të asaj marrëveshje, por edhe për shkak të vonesave që i bën në zbatim, nuk i gëzon benefitet që do të duhej nga të treguarit konstruktiv. Ai as nuk ka guximin të kundërshtojë deri në fund për shkak të presionit ndërkombëtar, as nuk ka guximin t’i pranojë hapur kompromiset, për shkak të votës popullore”, tha Lirim Mehmetaj.

Përndryshe, sipas Mehmetaj, “anëtarësimi do të duhej të vinte fare lehtë, për shkak të rrethanave të krijuara (përjashtimi i Rusisë nga organizata, etj)”.

Deklarimet e Gërvallës, Kasolli i sheh krejtësisht edhe në kundërthënie me “arsyetimet” e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit; e në rend të parë, “me urdhrin drejtuar Agjencionit Kadastral për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të viti 2016”.

“Sepse ishte vetë ky i fundit që në disa deklarime mediale kishte pohuar se po të mos ishte urgjenca e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, nuk do ta trajtonin më prioritet këtë detyrim”.

Kasolli ngre edhe një pyetje kapitale në krejt këtë situatë të cilës vetëm kuptim s’mund t’i përshkruash:

“E sikur të mos ishte qëllimi i plotë anëtarismi në Këshill të Evropës, çfarë kuptimi ka ajo letër qesharake që vetë ministria e Punëve të jashtme e dërgoi në këtë institucion, ku zotohet për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, sipas kërkesave të vendeve të QUINT-it?”.

“Pa përmendur këtu edhe letrën e mëhershme të krerëve shtetërorë, presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, dhe kryeparlamentarit Konjufca dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bokojanis, se do ta themelojnë Asocacionin e komunave me shumicë serbe, qasje kjo në kundërshtim me vet zotimet e tyre konstatonte para opinionit të brendshëm se nuk do ta lejojnë ta nxjerrin e këtij entitet nga pakoja e Marrëveshjes bazike”, tha Kasolli në një përgjigje për Nacionalen.

Mehmetaj në leximin përfundimtar të tij, thotë kështu: “tashmë politika e tij (Kurtit) është shndërruar në një politikë të ngushëllimit”.

“Kosova dështon dhe qeveria krejt çfarë bënë është ngushëllon qytetarët dhe vetën. Kosova nën sanksione, Kurti ngushëllon qytetarët se iu bë e padrejtë nga Bashkimi Evropian. Kosova dështon të anëtarësohet në një situatë shumë të favorshme, Kurti ngushëllon prapë me vajtimin për padrejtësinë. Kaq ka mbetur pra, aplikimi i një politike të vajtimit dhe ngushëllimit”, përfundon Lirim Mehmetaj.

Filozofi Kasolli – që dikur kishte qenë edhe deputet në Lëvizjen Vetëvendosje – deklarimet e Gërvallës i përkufizon si “përpjekje infantile për ta mbuluar pikërisht këtë dështim”.

“Në fund të deklarosh ‘çka ndodh deri ne majin e vitit te ardhshem eshte brenda objektivave te qeverise’ në një kohe tejet fragjile politike, për shkak të luftës në Ukrainë, Lindje të Mesme, shtimit gjithnjë e më shume të së djathtës ekstreme në shumë shtete demokratike, si dhe pasigurisë që do të mund të prodhojnë zgjedhjet e reja në vende si Franca, Britania, SHBA-të etj etj, tregon për realitetin paralel dhe ‘solipsizimin’ politik ku jeton ky pushtet”, tha ai.

“Pra ky pohim i pasqyron iluzionet e një pushteti mbartësit e të cilit janë edhe orakujt e së ardhmes dhe sa ata mund ta kontrrollojnë edhe këtë të fundit e jo vetëm të tashmen”, përfundon Afrim Kasolli.

Lajme të ngjashme