Takime nëpër darka, ndërkombëtarët s’i shkojnë në zyrë Kurtit - NACIONALE

Takime nëpër darka, ndërkombëtarët s’i shkojnë në zyrë Kurtit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, pritet të vizitojë sot Kosovën. Gjatë qëndrimit të tij, ai do të takohet me deputetin e Vetëvendosjes – i cili ushtron njëkohësisht edhe pozitën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti – megjithatë, jo në Qeveri, por diku për darkë.

Kjo tashmë është konfirmuarnga zëdhënësi Përparim Kryeziu, i cili tha se Kurti do të takohet me Hanrahan gjatë një darke pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në ambasadën e ShbA-së në Kosovë.

“Në mbrëmje, kryeministri Kurti do të zhvillojë një takim me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, gjatë një darke pune të organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Prattipati,” – thuhet në përgjigjen e Kryeziut për “EO”.

Që prej kur përfundoi mandatin, anise po vazhdon të shkojë në zyrën e kryeministrit, ndërkombëtarët kanë rralluar vizitat në Qeveri.

Kështu, ata po takohen me Kurtin nëpër darka. Njëjtë, kishte vepruar edhe kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas.

Në maj të vitit 2023, Kurti me Kallas kishin darkuar në kryeqytet.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Duke i uruar mirëseardhje në Prishtinë, kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes.

Kryeministri theksoi se vendi ynë, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres të konsiderueshëm në reforma të brendshme, dhe se kjo evidentohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së. Kryeministri e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor” – thuhej në njoftimin për këtë darkë.

Theksojmë se partnerët ndërkombëtarë, si ShBA-ja dhe BE-ja, tash e disa kohë kanë kërkuar formimin e Qeverisë, duke thënë se “kanë nevojë për një partner në Kosovë”.

Megjithatë, tash 45 herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, derisa partia e Albin Kurtit s’i ka numrat për ta votuar kryeparlamentarin.

VV-ja nuk ka hequr dorë nga skenari i saj dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vazhduar me refuzimin e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Të premten, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 55 vota, kudër dhe abstenim nuk ka pasur.

Lajme të ngjashme