Takim në katër sy, fillon takimi Kurti – Krasniqi
Ka filluar takimi në mes të kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi.
Takimi, i cili po zhvillohet në ambientet e Kuvendit, është takim që po zhvillohet në katër sy.
Në tavolinë janë të ulur vetëm Kurti dhe Krasniqi, pas asnjë zyrtar tjetër afër.
Qëllimi i këtij takimi është zhbllokimi i ngërçit dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Me qëllim të daljes nga situata aktuale, kryetari i VV-së, Albin Kurti, dje ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Derisa LDK-ja ka refuzuar këtë ftesë, PDK-ja është treguar e gatshme që të takohet me Albin Kurtin.
Duke iu përgjigjur letrës së Kurtit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar pse do të takohet me të parin e VV-së.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t'i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
Ai e ka ftuar Kurtin që të reflektojë duke e ndryshuar kandidaten për kryetare të Kuvendit.
“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale. Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka shkruar ai, duke treguar se pas takimit do të jep të gjitha detajet.
“Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë. Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe nga PDK-ja, LDK-ja ka refuzuar këtë ftesë.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se kjo parti nuk do ta mbështesë asnjë anëtar të VV-së për pozitën e kryetarit të Kuvendit.
“Nuk kemi votë për asnjë anëtar të LVV si kryekuvendar, teksa për nënkryetar e mirëkuptojmë që nuk është barra e njëjtë e neutralitetit dhe jemi dakord këdo që e propozojnë dhe e votojmë si pako. Një nënkryetar na takon me Kushtetutë, është e drejtë që e kemi fituar me rezultat zgjedhor, andaj nuk kemi pse ta diskutojmë me kryetarin e VV. Ndërkaq, kryekuvendari kërkon marrëveshje politike – por jo me ne”, ka thënë deputetja e LDK-së për Nacionalen.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është sot në ora 10:00.
Kjo do të jetë përpjekja e nëntë e deputetëve për të konstituar Kuvendit.