Tahiri: Qeveria s`ka të drejtë ndaljen e pagave, punëdhënës të mësimdhënësve janë komunat
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar qeverinë për veprimet ndaj mësimdhënësve.
Gjatë seancës se stome parlamentare, ku AAK-ja ka thirrur në interpelancë ministrin Murati, ai ka thënë se ndalja e pagave për grevistët ka qenë veprim skandaloz dhe anti ligjor.
“Është absurde të aludohet se po ruhet buxheti i Kosovës duke shkelur dinjitetin e një kategori tjetër, e një kategori të cilës ia kemi besuar të ardhmen e fëmijëve tonë si në aspektin social ashtu edhe arsimor”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se punëdhënës të mësimdhënësve janë komunat dhe jo qeveria.
“Qeveria nuk është punëdhënës i personeli para universitar. Punëdhënës, me ligj, me kushtetutë, këtë përgjegjësi ia ka deleguar komunave. Kontratat nënshkruhen me departamentin komunal të arsimit. Thesari dhe ministria e Financave e ka obligim ekzekutimin e listave”, ka thënë Tahiri.
Para deputetëve, ai ka prezantuar edhe rezolutën e kësaj partie, e cila kërkon dalja e presionit dhe cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore dhe ndërhyrjeve në kompetencat dhe autonominë e komunave.
Gjithashtu, rezoluta kërkon ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit dhe nisja e dialogut me partnerët social.