Tahiri e paralajmëron shpërndarjen e Kuvendit: PDK-ja do të marrë hapa konkretë - NACIONALE

Tahiri e paralajmëron shpërndarjen e Kuvendit: PDK-ja do të marrë hapa konkretë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka të qartë kërkesën për zgjedhje të reja të parakohshme. Përveç kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, PDK-ja e ka propozuar edhe një datë, më saktë 9 qershorin, si opsion se kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet.

Ndërsa sot Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka theksuar se partia më e madhe opozitare është e gatshme për zgjedhje.

“Ne jemi partia e vetme që realisht tashmë kemi një platform të qartë, një kandidat për kryeministër, pra e kemi mandatarin dhe e kemi propozuar 9 qershorin si datë të mundshme për zgjedhje” – tha ai.

Tahiri u pyet edhe për idenë e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës. Për herë të parë, Tahiri e la mundësinë e hapur që të shpërndahet Kuvendit, duke shtuar se ky duhet të jetë një vendim i të gjitha partive, përfshirë VV-së e LDK-së e AAK-së.

Në prononcimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri paralajmëroi hapa konkret që çojnë drejt shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

“Sa i përket rrëzimit të Qeverisë apo mocionit të mosbesimit që u përmend, ju e dini që deputetët e opozitës prej 120 sa i ka Kuvendi, janë 42 deputetë. Duhet së paku 61 deputetë që ta rrëzojmë qeverinë, këta numra nuk i kemi dhe nuk mund të hyjmë në një procedurë që nuk mund ta realizojmë. Në anën tjetër, ne për t’i dhënë një dalje nga kjo situatë e rëndë, me nxjerr vendin nga kjo situatë e rëndë, e kemi dhënë një rrugë më të lehtë partisë në pushtet, VV-së, që ta shpërndajmë Kuvendin… Nëse ke vullnet të vërtetë nga VV-ja dhe partnerët e saj nga komuniteti joshumicë e PDK-ja janë dy të tretat. Ne preferojmë që ky të jetë një bashkëpunim më i gjerë me LDK-në dhe AAK-në… Ne jemi më se të vendosur dhe normalisht që do të marrim hapa konkret, të cilat do të çojnë deri te shpërndarja e Kuvendit.” – tha ai.

Mbrëmë kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka treguat gatishmërinë e partisë së tij për të shkuar në zgjedhje më 9 qershor. Hamza ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dorëzohet.

“PDK ka datë dhe është e gatshme të bisedojë për opsionet e shkuarjes në zgjehdje. Hajde, hajde.

Kurtit i konvenojnë edhe s’i konvenojnë zgjedhjet.

Nuk është viktimizim.

Pa dashtë zoti Kurti, në asnjë opsion Kosova nuk mundet me shku në zgjedhje.

Po dorëzohet, po ia shkurton vetit mandatin, mund të quhet edhe dorëzim. Pa dashtë zoti Kurti nuk mundemi me shku në zgjedhje, s’mund të shpërbëhet as Kuvendi, as me mocion s’mund ta shpërbëjmë qeverinë, dhe pa dashtë zoti Kurti Vetëvendosja nuk voton.

Na jemi të interesumë me u ulë me bisedu me partitë politike dhe me i dhanë drejtim kësaj çështje.

Jemi të hapur, po realisht, varet edhe prej partive të tjera politike por kryesisht prej zotit Kurti, a ka seriozitet në këtë punë, qysh e ka planifiku këtë”, tha z.Hamza.

Lajme të ngjashme