Tahiri me kritika: Instituti për Krime Lufte nuk duhet ta ketë datë 31 dhjetorin e vitit 2000
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar që data e fundit për Institutin e Krimeve të Luftës, të mos jetë 31 dhjetori 2000.
Kjo pasi sipas tij, 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës.
“Data nuk duhet të mbetet 31 dhjetori i vitit 2000. 12 Qershori është dita e çlirimit, e jo 31 dhjetori. Pas qershorit të vitit 1999, krime lufte nuk janë kryer në Kosovë, sepse ka përfunduar lufta. Nuk duhet të amnistohet askush nga krimet që i ka kryer, por pas 20 qershorit, kur është çliruar qyteti i fundit në Kosovë, nuk ka pasur as luftë e as krime lufte”, tha Tahiri.
“Nuk duhet të votohet ky ligj, nëse e mbanë këtë datë si periudhë, në të cilën hulumtohen krimet e luftës”, deklaroi ai.
Ai pati kritika edhe për mënyrën se si do të funksionojë Instituti.
“Kur e shohim strukturën e këtij ligji, i bie sikurse jemi duke krijuar një agjenci brenda zyrës së Kryeministrit, e jo një Institut të mirëfillt.Prandaj unë besoj se ky draft-ligj, duhet të plotësohet e të ndryshohet në shumë aspekte. Ne qysh e kemi themelu Institutin më herët, ka qenë gabim. Nuk duhet t’a përsërisim gabimin”, theksoi Abelard Tahiri.