Tahiri: Kurti po i përvetëson meritat e institucioneve të pavarura - NACIONALE

Tahiri: Kurti po i përvetëson meritat e institucioneve të pavarura

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se po përvetëson meritat e institucioneve të pavarur në luftimin e krimit dhe të korrupsionit në vend.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti në postimin për të “arriturat” në fushën e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, po i manipulon qytetarët me shifra.

Çfarë meritash ka Kurti në çështjet operacionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera, kur këto institucione janë të pavarura në hetimin dhe ndjekjen e krimit? Çfarë roli ka luajtur Qeveria Kurti në 854 operacionet policore? Për informatë, në vitin 2019 ishin realizuar 1,156 operacione policore dhe kjo ishte meritë e punës profesionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera të zbatimit të ligjit. Si atëherë, edhe sot, çdo rezultat i arritur në luftimin e krimit është meritë e institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, shifrat që përmend i pari i qeverisë nuk janë të sakta.

Kurti është duke vazhduar të manipulojë më fjalën “grupe kriminale” e duke dhënë shifra të larta të shkatërrimit të tyre. Por ekziston dallim substancial në mes të “grupeve kriminale” e “grupeve të organizuara kriminale”. Sikur në Kosovë brenda një viti të luftoheshin 69 grupe të organizuara kriminale, i bie që ne jemi shtet i kapur nga krimi i organizuar dhe me nivelin me të lartë të krimit në Evropë. Prandaj, Kryeministri Kurti nëse dëshiron të përvetësojë merita të institucioneve të pavarura, le të na tregojë se sa grupe të organizuara kriminale janë shkatërruar, pasi këto kanë rëndësi dhe jo grupet e trilluara nga qeveria”, ka shkruar Tahiri.

Lajme të ngjashme