Tahiri i përgjigjet Kurtit: Është në panik, s`ka çka prezanton para qytetarëve
Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurtit, i cili k fajësuar opozitën për shtyrje të zgjedhjeve nacionale.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka vlerësuar se këto deklarata tregojnë se Kurti është në panik.
“Deklaratat e djeshme të kryeministrit Kurti tregojnë se ai është në panik të zgjedhjeve. Ai e dinë se në fushatën e ardhshme zgjedhore që do të nis për pak muaj, nuk ka asnjë projekt që do të mund ta prezantoj tek qytetarët e Kosovës, përveç vazhdimin e mashtrimit me terma tepër abstrakt dhe me asnjë punë konkrete”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova qëndron mbrapa vendeve të rajonit në disa fusha.
“Sot Kosova është vendi me ekonominë më të varfër, me pagat më të ulëta në rajon sektorin publik, me pagën më të ulet minimale në sektorin privat. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa sigurime shëndetësore. Në katër anët e Kosovës rrugët janë të bllokuara. Rruga për Podujevë është bërë si rrugë për Kandahar, pothuajse në të njëjtën gjendjen janë edhe rrugët për Mitrovicë, Gjakovë e Gjilan, ndërsa lavdet nuk ndalen. Mirë është që në këta muajt që i kanë mbetur të përfundojë ndonjë rrugë dhe të del me diçka konkrete. Përndryshe është një fjalë popullore që thotë: katuni që shihet nuk do kallauz. Po shihet që ky njeri dhe kabineti i tij janë të pazot me punu diçka të hajrit për vendin”, ka thënë Tahiri.