Szunyog: Kosova e Serbia në familjen evropiane, vetëm përmes normalizimit të raporteve
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka thënë se Kosova e Serbia mund të bëhen pjesë e BE-së vetëm me normalizimin e marrëdhënieve.
“Po jam optimist për të ardhmen e procesit të dialogut, jam i bindur se nëse ka angazhim mund të shkojmë në rrugën e duhur drejt pajtimit. Siç e keni parë gjatë mandatit tim jam angazhuar maksimalisht për këtë çështje sepse është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet”, tha Szunyog për Tëvë1.
Diplomati evropian e ka bërë të qartë se pa normalizim të raporteve as Kosova e as Serbia nuk mund të bëhen pjesë e unionit evropian.
Në të njëjtën kohë ai po kërkon që palët të fillojnë me zbatimin e marrëveshjeve.
“Po e bëj edhe njëherë të qartë se vetëm përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosova dhe Serbia mund t’i bashkohen familjes së madhe evropiane. Pra nëse ju jeni të përkushtuar seriozisht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian duhet të angazhoheni më shumë në dialog dhe duhet t’i zbatoni të gjitha marrëveshjet. Por duhet thënë se deri më tani palët akoma nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjeve”, tha ai.