Sveçla e nxjerr në Facebook policin e plagosur për ta demantuar Vuçiqin: Po kamuflon sulmet
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas gënjeshtrave që polici i plagosur, Ekrem Neziri është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën Veriore.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datën 6 dhjetor, ndërsa sulmi ndaj zyrtarit policor ka ndodhur me 8 dhjetor.
“Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit. Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut. Sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit. Për këtë ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë”, ka shkruar Sveçla.
Ai tutje ka thënë se këto pavërteta nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të dështuara dhe kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale.
“Këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale. Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t'i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë. Propaganda e tij më nuk gjenë adresë, askund”, ka shkruar ai.
Tutje ministri i MPB-së ka thënë se do të vazhdojnë dhe do të qëndrojnë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm.