Surroi: Kosova duhet ta zhvendosë Ambasadën e vet prej Jerusalemit në Tel-Aviv - NACIONALE

Surroi: Kosova duhet ta zhvendosë Ambasadën e vet prej Jerusalemit në Tel-Aviv

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Veton Surroi, opinionist i moçëm, ka shkruar një artikull me titullin “Ukraina dhe Gaza në kërkim të parimit”, i cili është botuar në Koha. Në këtë shkrim, Surroi ka një propozim interesant, që me shumë gjasë do të pajtohej edhe Albin Kurti i opozitës, të cilin Surroi e këshillon tash në pushtet.

Duke argumentuar qëndrimet e Kosovës për luftën në Ukrainë dhe atë në Gaza, Surroi vlerëson se Kosova duhet ta zhvendosë ambasadën e vet prej Jerusalemit në Tel-Aviv. Du

“Kosova duhet ta zhvendosë Ambasadën e vet prej Jerusalemit në Tel-Aviv. Dhe ashtu siç e përkrah me meritë të plotë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, duhet të përkrahë të drejtën e palestinezëve për jetë, minimalisht, e pastaj edhe për liri nga okupimi” – shkruan Surroi.

Në shkrimin e tij, Surroi vlerëson se Kosovën e ka përcjellur në heshtje ndëshkimin kolektiv të palestinezëve, ndërsa Gazën e quan një “qytet gërmadhë”.

“Fillimi i luftës në Gaza, pas pogromit anti-hebre që zhvilloi Hamasi më 7 tetor - duke vrarë, dhunuar seksualisht e rrëmbyer fëmijë, gra e burra vetëm pse ishin hebrenj - e zuri Kosovën duke përcjellë në heshtje ndëshkimin kolektiv të palestinezëve. Fëmijë, gra e burra bombardohen, vriten me pushkë e snajperë, dëbohen nga shtëpitë që pastaj rrafshohen me tokë, vriten nga uria si bebe të porsalindura a si fëmijë parashkollorë, a si fëmijë që nuk mbërrijnë më në shkolla sepse nuk ka as shkolla, as shtëpi, as paralagje, as qytet – vetëm një gërmadhë e madhe e pafund që mban dy milionë banorë.” – vazhdon Surroi.

Ish-politikani e thekson mosdeklarimin e Kosovës në lidhje me të drejtën e palestinezëve për jetë të denjë.

“Kosova u deklarua menjëherë, dhe me të drejtë, se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Por Kosova nuk u deklarua as edhe një herë se ashtu siç ka Izraeli të drejtë të mbrohet kanë të drejtë edhe palestinezët për jetë, minimalisht, e pastaj edhe të drejtën për jetë të denjë sipas vullnetit të tyre kolektiv.” – sqaron Surroi.

Në pjesën tjetër të shkrimit që i kushtohet problemit izraelito-palestinez, Surroi ka kritika të ashpra për mënyrën se si Izraeli i trajton palestinezët.

“Por tanket izraelite bëjnë të njëjtën gjë, për më tepër për një periudhë shumë më të gjatë, mbi 70 vjet. Në rastin e Gazës janë duke e vendosur para kamerave televizive dhe në intensitet kohor të komprimuar dhunën deri tani të paprecedent të përndjekjes kolektive të palestinezëve. Brenda muajit të parë të luftës së Izraelit kundër qytetarëve të Gazës (e në emër të luftës kundër Hamasit) janë vrarë po aq civilë (mbi dhjetë mijë) sa janë vrarë në dy vjetët e luftës në Ukrainë dhe gjatë dy vjetëve të luftës në Kosovë.” – shkruan Surroi.

Në shkrim, Surroi tregon edhe dy arsye, që sipas tij ndikojnë në këto qëndrime të Kosovës, të cilat i quan interesa që bëhen transaksionale.

“Dhe, kështu interesat që bëhen transaksionale hyjnë edhe në një lëmsh më të madh: Kosova e përkrah Ukrainën, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por jo edhe palestinezët, të cilët me aq përfaqësim e forcën që kanë, po ashtu nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës” – komenton Surroi, i cili thotë se Kosova duhet të përkrah të drejtën për jetë të pelestinezëve.

Në fund, Surroi e tregon edhe një arsye tjetër morale pse Kosova duhet të largojë ambasadën e saj nga Jerusalemi dhe ta vendosë atë në Tel-Aviv.

“Në shtetin e Izraelit prej 97 ambasadave të akredituara në këtë vend, 92 janë në Tel-Aviv e 5 janë në Jerusalem. Prej atyre të pestave, Kosova është i vetmi shtet evropian dhe e vendosi këtu në kushte të ndërlikuara nga presioni i administratës Trump.

Kosova bën mirë që ta ketë ambasadën e vet në Tel-Aviv së bashku me shtetet e tjera evropiane dhe shumicën e shteteve të tjera të botës. Ky është habitati i natyrshëm politik për përfaqësinë diplomatike të Kosovës.

Tash ekziston edhe një arsye tjetër shtytëse morale. Sipas raportueses së OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, dr.Francesca Albanese, veprimet e Izraelit tashmë e kanë arritur pragun e gjenocidit në Gaza.” – shkruan Surroi.

Lajme të ngjashme